Kosova
SHBA QELLON NE SHENJE/ Sulmi në Ibër-Lepenc u orkestrua për të shkaktuar destabilitet
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka deklaruar se sulmi terrorist në Ibër-Lepenc të Zubin Potokut, u organizua qartësisht për të krijuar destabilitet.
Ai theksoi se ky sulm ishte “i tmerrshëm” dhe se SHBA po ndihmojnë Qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetime.
“Po ndihmojme duke vënë në dispozicion burime për këtë qëllim. Eshte me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren, të shqyrtojë të gjitha informacionet dhe të punojnë me partnerët ndërkombëtarë për t’u siguruar atyre që do të behet një hetim i besueshëm” – deklaroi Kasanof
I pyetur për raportin e Qeverisë Kurti me administratën e re të presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, ai refuzoi që ta komentojë duke thënë se e njëjta do të mbetet e përqëndruar tek ndihma për Kosovën.
Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.
Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për orkestrimin e këtij akti, i cili vlerësohet të jetë sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga përfundimi i luftës, krahas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit, në Veri të vendit, i cili ka cenuar paqen e brishtë në Ballkanin Perëndimor.
Serbia, nga ana tjetër, ka mohuar të ketë gisht në të dy rastet, duke theksuar se akuzat për pjesëmarrje në këto sulme janë të pabaza, ndonëse autoritetet kosovare kanë insistuar se kanë prova të mjaftueshme që implikojnë shtetin serb në sulmet e fundit.