Connect with us

Aktualitet

Moti i keq prek edhe Tiranën/ Prefekti: Evakuuam një familje, 3 persona u bllokuan nga bora

Moti i keq ka prekur edhe Tiranën. Në kryeqytet reshjet e shiut kanë qenë të dendura, ndërsa në Dajt e Shëngjergj ka patur dëborë. Prefekti i Qarkut të Tiranës, Afrim Qendro deklaroi se në Qafën e Murrizit 3 persona kishin mbetur të bllokuar në makinë nga reshjet e dendura të dëborës. Ata janë nxjerrë nga autoritetet dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Qendro po ashtu thotë se një familje është evakuuar në Shkozë pas përmbytjes së banesës.

“Situata është me e qetë, dje kemi pasur probleme në qarkun e Tiranës, sidomos në Bashkinë e Tiranës. Kemi pasur probleme në rrugë te Qafa e Murrizit, tuneli Rrugës së Elbasanit, rrëshqitje dherash në disa zona, evakuim banese në Shkozë, dhe gati 14 raste të rënieve të pemës dhe shtyllave elektrike. Kemi pasur një rast specifik në hyrje të tunelit së Murrizit me 3 persona të bllokuar. Sot në mëngjes kemi bërë të mundur që tre pasagjerët që ishin në automjet të nxirren me një automjet të kompanisë së mirëmbajtjes. Janë në gjendje të mirë shëndetësore, u është dhënë trajtimi i duhur mjekësor. Ndërkohë që po vazhdon puna nga të gjitha ekipet e Emergjencave dhe Bashkisë Tiranë, për ta normalizuar situatën kudo ku kemi pasur probleme, na është dashur që një banesë të evakuohej. Po punojmë për kthimin në gjendje normale të saj. Kemi vetëm në Shëngjergj dhe Baldushk, dy raste të rënies së shtyllave. Njëra është rregulluar dhe tjetra po punohet për ta vënë në funksion, s’kemi pasur rasti të shkëputje të energjisë, në Shëngjergj dhe zonën e Dajtit kemi pasur në orët e vona të mbrëmjes reshej dëbore, por ekipet kanë qenë në terren. Trafiku është normalizuar, të gjitha shërbimet bazike të qytetarëve ne këto zona kryhen në mënyrë normale,”-deklaroi ai për Report.Tv.

Sipas Emergjencave Civile ka patur rënie të pemëve mbrëmjen e kaluar në zonën e Mulletit, zonën e Dajtit, po ashtu edhe dy në kryeqytet. Njëra prej tyre ka rënë në një automjet duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Advertisement