Sport
Lucumi “tradhton” Anglinë për Juventus-in/ Marrëveshja personale, 5 vite në Torino
Juventus-i ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt transferimit të Jhon Lucumi-t, duke arritur një marrëveshje në parim me mbrojtësin kolumbian për kushtet personale.
Sipas “Tuttosport”, Lucumi e ka mbajtur Juventus-in në krye të preferencave të tij, pavarësisht interesimit nga Anglia. Nottingham Forest ka shfaqur interes konkret, ndërsa Chelsea dhe Manchester United kanë bërë kontakte eksploruese.
Megjithatë, vendosmëria e Juventus-it ka bindur 27-vjeçarin, i cili ka pranuar një kontratë pesëvjeçare me pagë rreth 2.5 milionë euro në sezon, plus bonuse.
Forest ishte gati t’i ofronte rreth 1 milion euro më shumë neto në vit, por Lucumi ka preferuar projektin e Juventus-it, futbollin evropian dhe vazhdimin e aventurës në Serie A.
Tani, pengesa kryesore mbetet Bologna.
Luciano Spalletti e ka identifikuar Lucumi-n si një nga prioritetet e tij për repartin defensiv, pas paraqitjeve të mbrojtësit në Kupën e Botës dhe Serie A. Juventus-i ka nisur kontaktet me klubin emilian për të gjetur formulën e marrëveshjes.
Bologna e vlerëson mbrojtësin në të paktën 25 milionë euro, pasi klauzola e tij prej 28 milionë eurosh skadoi në mes të korrikut. Situata është bërë edhe më delikate për shkak se kontrata e Lucumi-t skadon pas 10 muajsh, duke e vendosur klubin përballë rrezikut për ta humbur lojtarin pa përfituar asnjë euro verën e ardhshme.
Oferta e parë e Juventus-it prej 17 milionë eurosh është refuzuar, por drejtuesit bardhezinj po përgatisin një propozim të ri. Në negociata mund të përfshihet edhe bashkëkombësi i Lucumi-t, Juan Cabal, si pjesë e marrëveshjes.
Me marrëveshjen personale tashmë të arritur, në Torino ka optimizëm se Juventus-i mund të gjejë gjuhën e përbashkët me Bologna-n dhe ta mbyllë transferimin e mbrojtësit kolumbian.