Shkrime
Kur vdekja të afrohet, rregulli është: Bëj sikur u rrëzove, ngrihu përsëri dhe godit fort
Stefano Massini, La Repubblica
Është 10 tetor 1989, kur Donald Trump i shpëton për pak vdekjes.
Tre nga menaxherët e tij kryesorë kishin hipur në një helikopter me qira për t’u kthyer nga New York në Atlantic City, ku administronin një sistem miliardash hotelesh dhe kazinosh, dhe Donald duhej të ishte në bord me ta, nëse një angazhim në momentin e fundit nuk do ta kishte mbajtur në Manhattan.
Disa orë më vonë, atij i thanë se një avari teknike kishte çaktivizuar komandat 30 milje larg destinacionit, duke e rrëzuar mjetin mes pemëve të kontesë Ocean, New Jersey.
Të mbijetuar? Askush. Dhe papritur sulltani mbeti pa vezirët.
Donald kishte një marrëdhënie të çuditshme me vdekjen.
Për të, duket se mbijetesa ka më shumë rëndësi se lamtumira, dhe kjo u vërtetua disa vite më parë, kur Fred Jr., vëllai i tij më i madh, ndërroi jetë në të 40-at për shkak të pasojave të alkoolizmit, në të cilin ra pasi familjarët pothuajse e kishin përjashtuar për zgjedhjen e karrierës si pilot në vend të bordit të kompanisë.
Thuhet se Donald premtoi për veten që nga ajo ditë të mos pinte më as edhe një pikë alkooli, si të ishte një hartë për të shmangur gabimet dhe për të vazhduar. Po, për të vazhduar.
Në fund të fundit, kjo është folja e zgjedhur e metodës Trump, e mbështetur te obsesioni për të mos ndaluar kurrë dhe për të mos pranuar pengesat përveçse si një nisje për një hap të menjëhershëm përpara.
Por në fillim të viteve ’90, Donald përjetoi një seri të tillë pengesash, saqë për herë të parë uli kokën me dështimin.
Dhe për një fitimtar të lindur, nuk është gjë e vogël.
Tre njerëzit kryesorë që humbën jetën në atë helikopter ishin vetëm fillimi i një vargani fatkeqësish, që kulmoi në korrik të 1991-it me krisjen e parë të madhe financiare të tij, të lidhur me humnerën financiare të ashtuquajturit Taj Mahal, një kazino gjigante që i kushtoi Donaldit një miliard dollarë, të mbledhura përmes obligacioneve me norma interesi shumë të larta.
Në teori, milionerët e tavolinave të lojërave të fatit duhej të shlyenin shpejt borxhin, por recesioni pas Reagan-it bëri të veten dhe menaxhimi falimentoi, duke rrëshqitur poshtë si në një pistë skijimi.
Duke folur për skijim, pikërisht në borën e bardhë të Kolorados në të njëjtën periudhë u rrëzua edhe martesa me Ivana-n, e cila u zemërua kur pa gjatë javës së pushimeve mbretëreshën e bukurisë së Georgias, njëfarë Marla Maples me të cilën thuhej se Donald e kishte tradhtuar.
Zbuluar keqazi mes bredhave të mbuluar me dëborë në Aspen, si në një film të Billy Wilder, heroi i tregjeve të pasurive të patundshme amerikane u detyrua të futej në një luftë të ashpër ligjore me bashkëshorten, nga e cila doli duke sakrifikuar një pjesë të pasurisë dhe duke i dhënë një dorë të artë revistave dhe tabloideve.
Vitet ’90, pra, shënuan humbjet e para të zhurmshme të Madhërisë së Tij Golden Donald, i detyruar shpejt të shiste linjën e tij ajrore të luksit dhe atë gjigantin fantastik të deteve që ishte Nabila, më shumë i ngjashëm me një aeroplanmbajtëse sesa me një jaht, i aftë të strehonte njëqind pasagjerë mes sallave të kinemasë, diskotekave, pastiçerive dhe suitave të denja për Plaza.
Për katër herë brenda pak vitesh fjala falimentim ndoti buzëqeshjen e tij të bardhë, por ky pothuajse 50-vjeçar para reporterëve nuk harroi kurrë të tallej me ligjet e shtetit dhe me aftësinë e tij për t’i anashkaluar ato.
Një aktor i shkëlqyer, që megjithatë filloi të tregonte dobësi kur edhe kryetari i bashkisë së New York-ut, Ed Koch, e përshkroi atë si një “mashtrues”.
Një aktor i shkëlqyer që shfaqjes së tij tani i mungonte një përbërës thelbësor: Entuziazmi i audiencës, ai admirimi i saj, besimi i vërtetë në mirazhin e perëndisë që shpërndan pasuri pa masë.
Gjithçka tjetër dukej se ishte zhdukur nga radari, dhe një frikë e papritur u përhap nga briri i bollëkut, me New York-un e pasur që po fundosej në një deficit prej 500 milionë dollarësh dhe me të gjithë “Vendin e Lodrave” që fikte dritat për shkak të kostove të larta të naftës, të rritura pas Luftës së Gjirit.
Punët bëhen duke i dhënë gaz motorit, jo duke futur marshin prapa, dhe për Donald-in loja bëhej tepër e vështirë kur miliona konsumatorë tërhiqeshin si arinj në letargji.
Por si mund t’u vihej faj?
Edhe vetë qyteti ishte kthyer në Gotham City, që nga 7 dhjetori i 1993-it kur Colin Ferguson hapi zjarr në orën e pikut mes pasagjerëve të transportit publik, duke vrarë gjashtë persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë.
Nuk mbetej veçse të pranohej kjo, lokomotiva amerikane ngadalësoi vrullin, tregjet u tronditën dhe adrenalina e një dite më parë ishte tashmë një kujtim.
Në këtë kontekst, Donald fillon të marrë pjesë shpesh në ndeshjet më të mëdha të wrestling-ut, në një përshkallëzim që do ta çonte madje të priste turnetë në strukturat e tij.
Në atë limbo mes luftës së vërtetë dhe fiksionit që është Iron Man Match, ka një sekuencë të përsëritur dhe ajo është ajo e nokautit të rremë, kur humbësi papritmas ngrihet në këmbë dhe e rreh kundërshtarin deri në fund.
Pikërisht kjo besoj mori formë në mendjen e Trump-it, një lloj “ringjalljeje” e papritur, koreografike dhe e bujshme, që do ta shpengonte nga seria e dështimeve në perëndimin e mijëvjeçarit.
Kështu lindi rimëkëmbja më e papritur, e financuar nga trashëgimia e disa miliona dollarëve që Fred Sr., pothuajse njëqindvjeçar, u la fëmijëve para se të largohej për shkak të pasojave të Alzheimer-it.
Gjithçka ishte studiuar në mënyrë të përsosur, deri në detajet më të vogla, duke ndërtuar një mozaik të një kthimi 20 vite pas, në atë Epokë të Artë kur Donald ishte një 30 vjeç me plot energji dhe asnjë qëllim nuk dukej i pamundur për të.
Për fillim, ai do të rikthehej në skenën e thashethemeve, këtë herë duke lidhur një marrëdhënie me fotomodelen 28-vjeçare sllovene, Melania (emri i saj i vërtetë Melanija Knavs), duke përsëritur në mënyrë simetrike skenarin që në vitin 1976 kishte shënuar lidhjen me Ivanan.
Si hap i dytë i rikthimit të tij në skenë, ai bleu një grataçelë në zemër të Wall Street, duke e quajtur Trump Building.
Por, mbi të gjitha, filloi të përsoste idenë për ta kthyer veten në një markë tregtare, sinonim i suksesit, luksit dhe dominimit në çdo kuptim.
Ishte një strategji e guximshme, pa precedent: T’u jepte të tjerëve, me pagesë, të drejtën për të përdorur mbiemrin e tij për të promovuar çdo operacion ose produkt të pavarur prej tij, duke e bërë kështu veten një markë të gjallë, mishërimin e vetë biznesit.
Sigurisht, për një plan kaq ambicioz, kërkohej një megafon po aq i pakufishëm, dhe atë ia ofroi një mbrëmje producenti Mark Burnett, me një pyetje të hedhur më shumë si provokim sesa si propozim.
Ai e pyeti: “Donald, do ta drejtoje – ti vetë – një program në TV?…”
Pjesa e parë