Kronike
EMRI/ Vrau biznesmenin shqiptar se s’kishte para, dënohet me burg të përjetshëm autori
Gjykata italiane ka dhënë dënim me burgim të përjetshëm për Davide Osella Ghena, autorin e vrasjes së shqiptarit Fatmir Ara. Mediat italiane raportojnë se motra e tij Barbara dhe shoku i tij Andrea Fagnoni, të dyshuar si bashkëpunëtorë të vrasësit, u shpallën të pafajshëm. Motra e tij akuzohej nga Prokuroria se i kishte dhënë armën autorit ndërsa, shoku i tij e e kishte ndihmuar të largohej nga vendi i krimit.
Prokuroria thotë se Osella Ghena e vrau shqiptarin për shkak të problemeve financiare. Ara po punonte për rinovimin e një ferme që zotërohej nga autori dhe e dashura e tij. Por për shkak të borxheve që kishin nisur të akumuloheshin dhe problemeve ekonomike, Osella Ghena kishte menduar si zgjidhje vrasjen e shqiptarit. Dhe ashtu bëri. Mirëpo gjatë gjyqit ai ka ndryshuar dëshminë disa herë.
“Nuk e kam vrarë unë. Kam patur persona që më kanë thënë se pse ia dhe punën Fatmirit dhe jo neve,”– pretendonte Davide, por sipas Prokurorisë këto pretendime nuk vërtetohen.
Si ndodhi vrasja
Biznesmeni 43-vjeçar Fatmir Ara u kontaktua të kryente disa punime në një objekt që do të shërbente për turizëm të familjes së bashkëshortes së autorit. Prokuroria pretendoi se Ghena, nuk mund ta paguante dot dhe në këtë moment ka nisur të fajësojë shqiptarin, të cilin e fton ta takojë në një zonë malore me pretendimin se do të kryente disa punime. Kur viktima, i cili ishte baba i katër fëmijëve mbërriti në vendtakimin e tyre, ai u vra me armë zjarri.
Trupi i pajetë i biznesmenit u gjet pranë makinës së tij, buzë një rruge të ngushtë jo shumë larg kompanisë, të cilën e kishte në pronësi të tij në shtator të vitit 2022 teksa në atë kohë u raportua se trupi edhe ishte keqtrajtuar.
43 vjeçari rezultonte i zhdukur prej 2 shtatorit të të njëjtit vit. Fatmir Ara në vitin 2018 ishte arrestuar nga Policia torineze për shkak se ish- bashkëshortja e kishte denoncuar për dhunë në familje. Mediat vendase shkruanin se ajo e kishte denoncuar për dhunë dhe armëmbajtje. Gjyqi tregoi sipas përfaqësuesve ligjor të familjes së viktimës se vrasja e Arës nuk kishte lidhje me këtë precedent, por me rrethanat mbi të cilat u paraqit pretenca e Prokurorisë.