Politike
Nga akuzat politike, te Shihemi në Gjyq, duel i hapur mes Shehajt dhe Lapajt për një by”t”hë karrige
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2025/02/SHEHAJ-LAPAJ.jpg)
Një përplasje e ashpër mes Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt ka shpërthyer në publik, duke kaluar nga debatet politike në një betejë të hapur me akuza për përfitime financiare, korrupsion dhe lidhje me drejtësinë. Nga 45 milionë lekë të pretenduara te sekuestrimi i një kompanie nga SPAK, përplasja po merr përmasa të papritura, me dosje, dokumente dhe kërcënime për gjyqe.
Shehaj akuzon: “Lapaj ka përfituar 45 milionë lekë nga një kompani nën hetim”
Me një deklaratë të fortë publike, Agron Shehaj akuzoi Adriatik Lapajn për përfitim financiar nga Merkaj Invest, një kompani e sekuestruar nga SPAK për pastrim parash. Sipas Shehajt, kjo shumë figuron në bilancet e vitit 2024 dhe mund të verifikohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
“Pyeteni pse i ka marrë ato para. Arsyeja është më e rëndë se fakti që i ka marrë,” – tha Shehaj, duke lënë të kuptohet se pas këtij transaksioni fshihet një aferë edhe më e madhe.
Ai e cilësoi Lapajn si një produkt të sistemit të korruptuar, duke deklaruar se ai është i mbështetur nga ata që duan të mbajnë gjallë një sistem të kalbur.
Lapaj replikon: “Paratë janë borxh për punë të papaguara”
Adriatik Lapaj reagoi menjëherë, duke e quajtur akuzën një manipulim të qëllimshëm. Ai sqaroi se nuk ka marrë asnjë pagesë, por se kompania ka të regjistruar në bilanc një borxh për shërbime ligjore që nuk i janë paguar prej dy vitesh.
“Ti ke publikuar një bilanc që tregon se më kanë borxh për punën time si avokat. Nuk janë para të marra, por para që nuk më janë dhënë. Po shpif, dhe këtë do e ndajmë në gjykatë!” – u përgjigj ai, duke paralajmëruar një padi për shpifje.
Sipas tij, në kohën kur ai ka ofruar shërbimet ligjore, Merkaj Invest nuk ishte nën hetim nga SPAK, duke ironizuar: “Edhe sikur të doja, unë ende nuk i kam marrë ato para!”
Shehaj sulmon më ashpër: Lidhjet e Lapajt me gjyqësorin dhe vjehrrin e tij
Shehaj nuk u ndal me kaq. Në një valë të dytë akuzash, ai publikoi dokumente të reja, duke pretenduar se Lapaj ka përfituar nga lidhjet familjare në gjyqësor. Ai solli dy prova kyçe:
1. Një kontratë shit-blerjeje për një pronë bregdetare me vlerë miliona euro, ku përmendet Lapaj dhe Merkaj Invest.
2. Një vendim gjyqësor i firmosur nga Altun Çela, vjehrri i Lapajt, kur ishte kryetar gjykate.
Shehaj e cilësoi këtë një skemë të pastër korrupsioni, duke theksuar: “Drejtësia është përdorur për pasurim të paligjshëm, dhe ky është një teatër ku regjisori është Edi Rama!”
“Shihemi në gjykatë!” – përplasja kulmon në rrjetet sociale
Pas publikimit të dokumenteve, debati u zhvendos në rrjetet sociale, ku tensionet u përshkallëzuan. Në një koment të drejtpërdrejtë, Lapaj sfidoi Shehajn:
“Po të përdorin o mavri! Numrat e vendimeve janë të njëjtë, por datat janë të ndryshme. Shihemi në gjykatë!”
Shehaj nuk e la me kaq dhe e ironizoi:
“20 hektarë tokë në bregdet me 45 euro/m². Nuk je avokat i zoti, thjesht kishe vjehrrin kryetar gjykate. Të fala Ramës!”
Nga ana tjetër, Lapaj u përgjigj se do ta çojë çështjen në gjykatë për shpifje:
“Unë nuk di të kem blerë ndonjë metër tokë. Nëse gjen 1 metër të blerë nga unë, ke të drejtë. Por ti sot ke shpifur dhe do të përgjigjesh për këtë!”
Në fillim, ky debat dukej si një përplasje mes dy opozitarëve, por tashmë po shkon përtej politikës dhe po përfshin drejtësinë, financat dhe akuzat për korrupsion.
Me dokumente të publikuara, akuza për miliona lekë dhe kërcënime për gjyq, duket se kjo betejë nuk do të mbyllet vetëm në rrjetet sociale. Çështja ka marrë një dimension më të gjerë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e dy politikanëve dhe sistemin që i mbështet.
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)