Aktualitet
16.3 miliardë lekë për QSUT-në, investime në onkologji dhe godina të reja
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pritet të nisë më 1 janar 2027 zbatimin e autonomisë financiare, një reformë që synon përmirësimin e shërbimeve spitalore dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për pacientët.
Paralelisht, është parashikuar edhe nisja e funksionimit të Institutit të Onkologjisë, së bashku me aparaturën PET Scan, e cila pritet të ndihmojë në diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Për QSUT-në janë planifikuar 16.3 miliardë lekë buxhet. Megjithatë, gjatë diskutimeve në Komisionin e Shëndetësisë, deputetët kanë ngritur shqetësime për mungesën e barnave dhe pajisjet mjekësore që nuk janë vazhdimisht funksionale.
Nga fondi i parashikuar, 6.3 miliardë lekë do të shkojnë për barna dhe materiale mjekësore, 396 milionë lekë për investime, 900 milionë lekë për materiale dhe pajisje laboratorike, 780 milionë lekë për sterilizimin e integruar dhe 566 milionë lekë për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore.
Ndërkohë, gjatë vitit 2027 pritet të përfundojë godina e re e Pediatrisë, ndërsa janë planifikuar investime edhe për shërbimin e Djegie-Plastikës, Psikiatrinë dhe reparte të tjera spitalore.
Një tjetër problem që kërkohet të zgjidhet është parkimi në territorin e QSUT-së. Rreth 1,800 automjete hyjnë çdo ditë në këtë qendër, duke krijuar vështirësi për pacientët dhe familjarët që kanë nevojë për akses në shërbimet spitalore.