✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Demo takon familjet që shtëpitë e tyre u shkrumbuan nga shpërthimi: Ne jemi këtu…

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka takuar familjet e prekura nga shpërthimi i fuqishëm në pallatin pesëkatësh në Elbasan, për të diskutuar masat e marra për strehimin e tyre dhe zgjidhjen afatgjatë të situatës.

I shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, Demo u njoh nga afër me nevojat e banorëve që u detyruan të largohen nga apartamentet e tyre pas shpërthimit. Ministri siguroi se institucionet do ta ndjekin çështjen deri në gjetjen e një zgjidhjeje, duke e cilësuar sigurinë e qytetarëve dhe mbështetjen për familjet si përparësi.

“Ne jemi këtu sot për të treguar vullnetin e qartë të të gjitha institucioneve që kjo situatë do të marrë një zgjidhje. Këtë problematikë do ta ndjekim në vazhdimësi, për të gjetur zgjidhjen afatgjatë”, u shpreh Demo.

Sa i përket së ardhmes së godinës së dëmtuar, ministri bëri të ditur se vendimmarrja do të varet nga raporti përfundimtar i ekspertizës teknike. Inxhinierët do të vlerësojnë gjendjen strukturore të pallatit dhe mundësinë e ndërhyrjeve për rikonstruksionin e tij.

“Jemi në pritje të raportit përfundimtar dhe, pas këtij raporti, alternativat që do të marrim në konsideratë do të bazohen mbi rezultatet e tij. Inxhinierët do të vlerësojnë strukturën e godinës dhe ndërhyrjet e mundshme që mund të kryhen. Në bazë të këtij informacioni do të përcaktojmë alternativat për t’i dhënë zgjidhje problematikës”, deklaroi ministri.

Demo kërkoi bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që vlerësimi teknik, mbështetja për strehimin dhe përcaktimi i zgjidhjes përfundimtare të mos shoqërohen me vonesa të panevojshme.

Në takim morën pjesë prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, përfaqësues të Emergjencave Civile dhe ekspertë të Institutit të Ndërtimit.

Advertisement