Aktualitet
Akuzohet për vrasjen e Fatbardh Licit, Safet Bajri del sot para gjyqtarëve për masën e sigurisë

Safet Bajri del para Gjykatës së Posaçme për verifikimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” ndërsa do të pyetet për vrasjen e vitit 2018 të Fatbardh Licit.
Bashkë me “Arrestin me burg”, po me kërkesë të SPAK-ut, Gjykata e Posaçme miratoi edhe kërkesën për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit. Mësohet se ditën që u soll nga Shkodra në Policinë e Tiranës, e pranishme ishte edhe ekspertja që do të merrte kampionet për ADN-në, por nuk u lejua në atë moment nga i arrestuari, i cili ka kërkuar të bëhet në një ditë tjetër.
Nuk dihet se cilat janë provat që e kanë bindur SPAK-un e GJKKO-në për të lëshuar urdhërarrestet më 21 shkurt 2025, por mësohet se një ndihmë për hetimin kanë dhënë komunikimet në SkyECC.
Motivi i vrasjes së xhaxhait të Ibrahim Licit, rivalit të Bajrave, sipas SPAK-ut, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë pjesëtarin e grupit të tyre, Boran Bërçana, më 15 korrik të vitit 2018. Ish-polici u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci.

