Connect with us

Aktualitet

Lista të Hapura apo manipulimi i demokracisë përmes tarafit dhe krushqisë!

Nga Arian Galdini
Në historinë e ideve politike, demokracia është përkufizuar si sistemi më i avancuar i qeverisjes, ku sovraniteti buron nga populli dhe pushteti është një shërbim ndaj të mirës së përbashkët.
Por kur demokracia zhvishet nga parimet e saj morale dhe reduktohet në një mekanizëm teknik për të ricikluar të njëjtët individë në pushtet, ajo nuk është më një instrument i lirisë, por një mekanizëm i kontrollit oligarkik.
Në Shqipëri, Listat e Hapura nuk janë asgjë më shumë se një përallë demagogjike, një makineri e sofistikuar propagandistike për të legjitimuar një sistem të mbyllur, ku të njëjtët njerëz, të njëjtat klane dhe të njëjtat interesa ruajnë dominimin përmes farsës së përfshirjes qytetare.
Një nga shembujt më të fundit dhe më të pështirë të këtij manipulimi është vendosja e familjarëve në listat e sigurta, një praktikë e zbatuar nga disa parti të reja si “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.
Baballarë, motra, krushq, farefis, të gjithë shndërrohen në vegla politike në një sistem që supozohej se do t’i jepte fuqi qytetarit.
Në fakt, ky është një rikthim i feudalizmit politik, ku demokracia nuk buron nga vota e lirë e popullit, por nga marrëdhëniet farefisnore dhe besnikëritë klanore.
Kjo nuk është demokraci, por tribalizëm politik në shekullin XXI.
Në demokracitë e zhvilluara, qeverisja duhet të jetë një konkurrencë mes ideve, vizioneve dhe aftësive, ku përfaqësuesit politikë zgjidhen mbi bazën e meritës dhe jo mbi lidhjet farefisnore.
Montesquieu, në “Shpirti i Ligjeve”, e thekson rëndësinë e ndarjes së pushtetit nga përkatësitë familjare dhe interesa të ngushta.
Ai argumenton se një shtet ku pushteti trashëgohet nuk është republikë, por një monarki e fshehur.
Në këtë kuptim, praktika e përdorimit të familjarëve si mjet elektoral është një kapje e sistemit politik nga skuthëria, ku vendimet nuk merren më në bazë të së mirës publike, por për të garantuar vazhdimësinë e klanit e tarafit, sepse siguria e garancitë e “kalimit”, paradoksalisht qëndrojnë vetëm tek “tribuja”.
Në “Republika”, Platoni paralajmëronte se demokracia e degraduar do të përfundonte në duart e demagogëve dhe oligarkëve, të cilët do ta përdornin sistemin për të siguruar fuqinë e tyre dhe për ta mbajtur popullin të mashtruar me iluzione të rreme pjesëmarrjeje.
Në Shqipëri, ne po jetojmë pikërisht këtë realitet.
Kur një parti zgjedh të vendosë baballarë dhe motra në listat e saj për të garantuar potencialisht “kalime” të sigurta, ajo në fakt po e shndërron politikën në një teatër grotesk, ku emrat ndryshojnë, por mendësia mbetet në të njëjtat kthina të së shkuarës së errët.
Karl Popper, në “Shoqëria e Hapur dhe Armiqtë e Saj”, argumenton se një sistem politik që nuk është i hapur ndaj konkurrencës reale të elitave është në thelb një sistem totalitar i maskuar si demokraci.
Në këtë kuptim, vendosja e familjarëve në lista është një strategji që minon vetë idenë e një shoqërie të hapur, duke e kthyer atë në një oligarki të trashëguar ose projekt okult apo projekt të kyçosur.
Një nga parimet themelore të etikës kantiane është që njeriu nuk mund të përdoret si një mjet për qëllime të tjera, por gjithmonë si një qëllim në vetvete.
Vendosja e familjarëve në lista nuk është vetëm një manipulim politik, por edhe një shkelje e dinjitetit njerëzor, ku individët nuk konsiderohen më si qytetarë me vullnet të lirë, por si instrumente për të ruajtur kontrollin brenda një projekti të kyçosur a partie.
Në këtë aspekt, Immanuel Kant, në “Metafizika e Moralit”, argumenton se çdo sistem politik që e trajton individin si një mjet për fuqizimin e elitave është në thelb një sistem që mohon lirinë njerëzore.
Kur një lider politik vendos babanë e tij në një listë të sigurt për të “manovruar” votat, ai në fakt nuk po ofron zgjedhje demokratike, por po përpiqet të manipulojë opinionin publik përmes një skeme skandaloze çdinjitetëzuese.
Në “Simulakra dhe Simulacion”, Jean Baudrillard argumenton se në epokën moderne, realiteti zëvendësohet me një kopje të tij që nuk përmban asgjë të vërtetë.
Ky koncept shpjegon më së miri Listat e Hapura si një mekanizëm simulimi demokratik, ku qytetarëve u jepet ndjesia e pjesëmarrjes, por realisht ata nuk kanë asnjë ndikim mbi pushtetin.
Në Shqipëri, qytetarët mendojnë se po marrin pjesë në një demokraci të hapur, por realiteti është se zgjedhjet janë të orkestruara, listat janë të mbyllura brenda partive, dhe familjarët e liderëve janë vendosur strategjikisht për të ruajtur kontrollin e elitave apo projekteve të kyçosura në rastin e partive të reja surrogato.
Kjo nuk është një reformë e as mendësi apo qëllimësi demokratike por është një përpjekje për ta bërë autokracinë më të pranueshme për masat dhe mashtrimin dhe cirkun në shërbim të Regjimit më efektiv.
Vilfredo Pareto, në “Teoria e Qarkullimit të Elitave”, thekson se një sistem politik mbetet i shëndetshëm vetëm nëse lejon rrotacionin e elitave përmes meritokracisë dhe konkurrencës reale.
Por në Shqipëri, Listat e Hapura nuk krijojnë këtë konkurrencë, ato e bllokojnë atë duke legjitimuar oligarkinë e madje duke përdorur edhe familjarët.
Përmes kësaj skeme, liderët e partive të reja surrogato që zgjedhin të fusin baballarë, motra, krushq dhe farefis në lista, me qëllimin e vetëm që të sigurojnë votat dhe të ruajnë kontrollin mbi kandidaturat e partisë së tyre bëjnë një poshtërsi të pamatë.
Kjo është një tradhti ndaj vetë parimit të demokracisë, i cili bazohet mbi meritokracinë, dinjitetin, përgjegjësinë e përgjegjshnërinë personale dhe përfaqësimin real.
Nëse demokracia është pjesëmarrje e lirë dhe përfaqësim i drejtë, atëherë vendosja e familjarëve në lista është një shkelje e dinjitetit njerëzor dhe një përdhosje e lirisë politike.
Kanti na mëson se njeriu nuk mund të përdoret kurrë si një mjet, por gjithmonë si një qëllim në vetvete sepse kurrë nuk mund të përdoret njeriu si vegël për lojëra politike edhe kur këto lojëra paketohen si parime demokratike.
Kur një lider politik përdor prindin apo të afërmin e tij si një mjet elektoral, ai po e trajton atë si një objekt në shërbim të qëllimeve të tij personale, duke e privuar nga dinjiteti dhe autonomia e tij politike.
Perikliu, udhëheqësi i Athinës demokratike, e përkufizonte politikën si një akt shërbimi dhe sakrifice ndaj qytetarëve, jo si një instrument për të pasuruar dhe fuqizuar apo përdorur një familje.
Nëse liderët politikë shqiptarë nuk e kuptojnë këtë parim, atëherë ata nuk janë politikanë demokratë, por trashëgimtarë të një oligarkie që vepron nën maskën e demokracisë.
Listat e Hapura nuk janë demokraci, ato janë një mekanizëm për të mbajtur të njëjtët njerëz në pushtet, përmes një mashtrimi të sofistikuar.
Ky është momenti kur qytetarët duhet të refuzojnë këtë farsë dhe të kërkojnë një sistem politik që bazohet në meritokraci, transparencë dhe pjesëmarrje reale.
Advertisement