Connect with us

Politike

PD në rënie/ Mërtiri: Berisha është në situatë mat, opozita tregoi papjekuri duke i shkuar nga pas

Analisti Ergys Mërtiri thotë se PD ishte humbja e opozitës ajo që i dha më shumë mandate Edi Ramës. Analisti, duke komentuar rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve, e cilësoi si krim faktin që Berisha pranoi kodin elektoral, me qëllim që të pengonte partitë e reja që të maksimalizonin votën.

“Pavarësisht se Rama e ka thelluar rezultatin e tij, mendoj që qytetarët kanë qenë pa alternativë dhe kjo është problemi. Më shumë sesa Rama i ka fituar këto zgjedhje, opozita i ka humbur. Opozita që ka humbur në logjikën e zgjedhjeve. Pra nuk është Rama ai që ka fituar por është opozita ajo që ka humbur dhe humbja e opozitës i ka dhënë shumë mandate Ramës. Përveç kësaj opozita ka bërë një veprim të tmerrshëm, krim elektoral duke pranuar një kod zgjedhor që pengonte partitë e reja për të maksimalizuar votën dhe linte në skenë Ramën dhe Berishën. Por kur Rama është shumë herë më i fortë se Berisha dhe ky më i dobët se Rama dhe skena eliminon të tjerët kjo i jep fuqi shtesë Ramës. Me përqindje Rama s’ka marrë më shumë se 55 përqind por me mënyrën sesi shpërndahen mandatet në skemën elektorale të këtij kodi, Rama merr mandate shtesë për shkak të skemës.”, tha Mërtiri.

Ai thotë se Berisha nuk e ka luftën me Ramën por me partitë e reja pasi dëshiron që të ruajë “ekskluzivitetin” e opozitës. Në këtë mënyrë, tha analisti, Berisha synon që të mbrohet edhe nga SPAK. Por, siç u shpreh analisti, në fakt këto zgjedhje e ekspozuan atë si një njeri të dobët me të cilin drejtësia mund të merret rehat.

“Krim i Berishës. Duke qenë se nuk kishte luftë me Ramën, lufta e Berishës ka qenë ndaj partive të reja për të mos lejuar një pol të tretë opozitar. Berisha donte që të ishte vetë, të kishte ekskluzivitein e opozitës dhe pranoi një kod që fuqizon më shumë Ramën vetëm për të mos lejuar të tjerët që të maksimalizojnë votat. Kjo bëri që ai të kthehet dhe t‘i japë Ramës një shumicë të tillë që e kthen atë në mbret. Berisha s’e ka më problemin me politikën por me SPAK. Duke mbajtur ekskluzivitetin e opozitës, do të mbrohet ngha SPAK dhe do përpiqet të akuzojë SPA se po Lulfton opozitën. Me idenë se SPAK s’do ta sulmojë se është lider i opozitës. Në fakt këto zgjedhje nuk e legjitimuan por e kanë ekspozuar si një njeri të dobët me të cilin drejtësia mund të merret rehat”, shtoi Mërtiri.

I pyetur nëse PD do ta njohë procesin zgjedhor, analisti u shpreh se nuk ka mundësi tjetër. Sipas tij, përtej retorikës së ashpër, Berisha do të duhet të shkojë në parlament.

“Berisha nuk ka shanse që të mos e njohë procesin. Ky proces ka pasur probleme plot me blerjen e votës, por Berisha do të shkojë në parlament se sbën dhe në një farë mënyre është miratim i procesit. Nuk ka më rëndësi se çfarë thotë sepse do të detyrohet të shkojë në parlament sepse jashtë tij do të jetë vulnerabël dhe i goditshëm nga çdo veprim i drejtësisë. Berisha është në situatë mat, s’ka nga lëviz. Opozita me papjekuri dhe papërgjegjshmëri të thellë shkoi drejt axhendës së një njeriu që ishte në hall personal. Dhe nga ky hall personal donte të përdorte gjithë opozitën dhe politikën për interesin e vet personal, megjithëse e përdori nuk besoj se do t’ja dalë“, shtoi Mërtiri.

Sipas Mërtirit, zgjidhja e vetme që ka opozita është largimi i Berishës.

“Zgjidhja e vetme që ka opozita është Berisha. Sfida që kishte dhe tani ka më shumë është Berisha opozita kishte shansin e artë të reformohej për herë të parë e ta largonte Berishën. Për herë të parë ishte shansi që të reformohej PD, me figura dhe mentalitet tjetër. Të gjitha këto i zeroi se shkoi pas një plaku non grata, i korruptuar dhe që nuk heq dot nga pushteti për interesa të veta. Tashmë PD janë të njollosur të gjithë, të gjithë ata që i vajtën pas kanë njollën e turpit të papërgjegjshmërisë që treguan. Ata e dinin se nuk mund të fitonin dot por zgjodhën të mbrojnë interesat e tyre personale në kampin e Berishës dhe për hir të të pasurit emrin në listën e kandidatëve për deputetë le të mbajnë Berishën. Zgjodhën të humbin përballë Ramës vetëm për të qenë në parlament, si Berisha për të mos pasur opozitë tjetër alternative. Opozita ka bërë vetëvrasje se nuk pranon që të ndajë pushtet”, u shpreh mes të tjerash analisti.

A do të largohet Berisha nga PD? Mërtiri thotë se Berisha kur s’e ka bërë 12 vite më parë apo kur u shpall non grata, s’do ta bëjë as tani. Kjo sepse, siç u shpreh ai, ai qëndron në politikë për hallet me drejtësinë.

“Berisha nuk largohet, pse nëse largohet do të vendosë një person të vetin pranë. Po të ishte për t’u larguar duhej të ishte larguar me kohë, Berisha për t’u larguar është 12 vjet vonë. Atëherë kur bëri sikur u largua, duhet të ikte nga ekrani dhe të pensionohej në politikë. Berisha ndenji si deputet, dilte çdo ditë në tv, dublonte rolin e kryetarit, përpiqej ta drejtonte me dhunë nga pas apo me dëshirën e Bashës dhe prodhoi një parti me dy timonë. Vjen një moment që e mori timonin për vetë e çoi në humnerë. Po të kishte ikur, të paktën do kishte ikur kur u shpall non grata. Është i detyruar të rrijë në politikë jo për ambicie politike por për hall. Halli politik është i qartë te SPAK, non grata dhe fakti që është i dënuar, damkosur nga politika ndërkombëtare por edhe me dosje penale mbi familjen e tij dhe grupin e interesit që qëndrojnë pas tij”, tha Mërtiri.

Duke u ndalur te rezultati i deritanishëm i partive të reja, Mërtiri tha se treguan papjekuri. Duhej që të bashkoheshin për të siguruar disa mandate, dhe për të krijuar një pol të tretë. Sipas tij, nëse do të kishin dalë në një listë të përbashkët, do të prodhonin të paktën 10 mandate më shumë.

“Vetëm votat që kanë marrë do të prodhonin 10 mandate më shumë. Nëse kanë 5, do të kishin 15, një start i mirë për t’u bërë faktor në politikë. Por bënë një gjë më të keqe, sulmuan njëri-tjetrin”, tha Mërtiri.

Advertisement