Connect with us

Bota

A është kriza në Ceuta vala më e madhe e migracionit të paligjshëm në historinë e BE-së?

Një krizë e paprecedentë migratore po trondit kufijtë jugorë të Bashkimit Evropian, pasi mijëra migrantë kanë kaluar nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës në Afrikën e Veriut.

Sipas vlerësimeve të fundit të autoriteteve spanjolle, numri i personave që kanë mbërritur në territorin spanjoll mund të arrijë rreth 60 mijë, një shifër që, nëse konfirmohet, do të përbënte një nga valët më të mëdha të mbërritjeve të parregullta të regjistruara ndonjëherë në një territor të Bashkimit Evropian.

Shumica e migrantëve kanë kaluar përmes detit, duke u nisur nga qyteti kufitar maroken Fnideq dhe duke arritur në plazhet e Ceutës, veçanërisht në zonën e El Tarajal, pranë kufirit mes Marokut dhe Spanjës.

Gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin janë raportuar edhe viktima. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat ndërkombëtare, të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë kaosit të krijuar pranë barrierave kufitare.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e ka cilësuar situatën si një sulm ndaj integritetit territorial të vendit dhe ka kërkuar dënimin më të fortë për përgjegjësit. Ai ka akuzuar rrjetet e trafikimit të migrantëve për shfrytëzimin e situatës dhe nxitjen e kalimeve masive.

Ceuta nuk është përballur për herë të parë me një presion të tillë. Në vitin 2021, rreth 10 mijë migrantë hynë në enklavë brenda vetëm 48 orëve, një situatë që u lidh edhe me tensionet diplomatike mes Spanjës dhe Marokut.

Kriza aktuale rikthen në vëmendje valët e mëdha migratore që kanë prekur Evropën gjatë dekadës së fundit. Një nga momentet më të vështira ishte periudha 2015-2016, kur lufta në Siri shkaktoi një eksod masiv drejt Evropës.

Në atë kohë, rruga e Ballkanit Perëndimor u kthye në një nga korridoret kryesore të migrimit, me rreth 400 mijë kalime të parregullta të regjistruara në Hungari gjatë vitit 2015. Po ashtu, ishulli grek i Lesbos u përball me një presion të jashtëzakonshëm, duke pritur qindra mijëra mbërritje.

Edhe vitet e fundit kufijtë evropianë kanë vijuar të jenë nën presion. Italia ka qenë shpesh në vijën e parë të krizës, veçanërisht përmes rrugës së Mesdheut Qendror, ku mijëra migrantë kanë mbërritur nga Afrika e Veriut.

Një nga episodet më të mëdha të kohëve të fundit ndodhi në ishullin italian të Lampeduzës në vitin 2023, kur rreth 7 mijë migrantë mbërritën brenda vetëm dy ditësh.

Kriza në Ceuta hap sërish debatin mbi sigurinë kufitare, politikat evropiane të migracionit dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe vendeve fqinje në jug të Mesdheut.

Advertisement