Aktualitet
342 mijë gjoba në 6 muaj, Policia Rrugore shton kontrollet në akset kryesore
Kontrollet e shtuara në rrugë dhe përdorimi i teknologjisë për monitorimin e qarkullimit kanë sjellë një ulje të rasteve penale, por një rritje të ndjeshme të masave administrative gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave të siguruara nga ABC News, Policia Rrugore ka regjistruar 327 raste penale në qarkullimin rrugor, 23 më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u evidentuan 350 raste.
Rënie është shënuar edhe te drejtimi i automjetit në gjendje të dehur. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë evidentuar 190 raste, nga 221 të regjistruara një vit më parë.
Ndërkohë, drejtimi i automjeteve pa leje drejtimi mbetet shqetësues. Policia ka konstatuar 129 raste, shtatë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Paralelisht me uljen e rasteve penale, është rritur ndjeshëm numri i gjobave. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë vendosur mbi 342 mijë masa administrative, rreth 67 mijë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas Policisë Rrugore, rritja e numrit të gjobave lidhet me zgjerimin e kontrolleve në terren dhe përdorimin e radarëve dhe pajisjeve inteligjente, të cilat kanë rritur kapacitetin për evidentimin e shkeljeve.
Sa i përket aksidenteve, gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar 547 aksidente në të gjithë vendin. Prilli dhe maji rezultojnë muajt me numrin më të lartë të ngjarjeve, me përkatësisht 132 dhe 133 aksidente, periudhë që përkon edhe me shtimin e qarkullimit në rrugë.
Policia identifikon si shkeljet më problematike tejkalimin e shpejtësisë, parakalimet e gabuara, përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit dhe mosvendosjen e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e mjeteve me dy rrota.
Bilanci i kontrolleve tregon gjithashtu se janë ndëshkuar mbi 1 mijë automjete me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin. Po ashtu, 70 drejtues kanë humbur të gjitha pikët e lejes së drejtimit, 432 leje drejtimi janë tërhequr, 2.536 drejtues janë penalizuar me zbritje pikësh, ndërsa 1.213 automjete janë bllokuar ose sekuestruar.
Nga analiza e Policisë Rrugore, akset Levan–Tepelenë, Shkodër–Lezhë, Levan–Fier, si dhe zonat bregdetare gjatë sezonit turistik, vijojnë të jenë segmentet me riskun më të lartë për aksidente, ndaj aty janë shtuar kontrollet dhe monitorimi me pajisje inteligjente.
Sipas Policisë Rrugore, objektivi mbetet rritja e sigurisë në rrugë përmes kontrolleve intensive, përdorimit të teknologjisë dhe ndërgjegjësimit të drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit.