Sport
Beteja për lavdi në Mynih, PSG kërkon historinë, Interi rikthimin në majë të Europës

Për herë të pestë në histori, Mynihu do të presë finalen e Ligës së Kampionëve (UCL) dhe me katër finalet e mëparshme në këtë qytet shenjat janë në favor të Paris Saint-Germain, që përballet me Interin për trofeun më të madh në futbollin e klubeve europiane. Fitorja e këtij trofeu ka qenë objektivi i madh për PSG që prej marrjes së pronësisë nga Katari në vitin 2011, por dështimet e njëpasnjëshme e kanë ndjekur klubin francez, me vetëm tri skuadra që kanë luajtur më shumë ndeshje në UCL sesa ata (167) pa e fituar asnjëherë titullin.
Një nga ato dështime erdhi në finalen e vitit 2020, kur PSG u mposht nga Bayerni, duke zgjatur edhe më tej pritjen për fitore franceze në këtë kompeticion, që daton që nga triumfi i Marsejës ndaj Milanit në vitin 1993, që rastësisht ndodhi gjithashtu në Mynih! Trajneri Luis Enrique synon të bëhet trajneri i gjashtë në historinë e Ligës së Kampionëve që fiton këtë trofe me dy klube të ndryshme dhe një sukses i tillë do t’i siguronte PSG-së katër trofe për sezonin: Ligue 1, Kupën e Francës, Trofeun e Kampionëve dhe, për herë të parë në histori, Ligën e Kampionëve.
Fitorja e fundit e Interit në UCL erdhi në vitin 2010, por kjo finale përfaqëson shansin e fundit të zikaltërve për të fituar një trofe këtë sezon, pasi e humbën titullin në Serisë A për vetëm një pikë ndaj Napolit. Djemtë e Simone Inzaghit kanë sfiduar çdo parashikim gjatë fazës me eliminim direkt këtë edicion, duke mposhtur Bayernin në çerekfinale falë një fitoreje 2-1 pikërisht në këtë stadium, e më pas duke kaluar Barcelonën në gjysmëfinale me një rezultat të jashtëzakonshëm total prej 7-6.
Ndryshe nga PSG, skuadra e Interit bazohet te përvoja: lojtarët mbi 30 vjeç kanë luajtur 43% të minutave të ekipit këtë sezon në UCL. Edhe pse këmbët e lodhura ndihen pas një sezoni të gjatë, kjo formulë ka funksionuar mjaft mirë. Një pjesë e madhe e këtyre lojtarëve ishin pjesë e skuadrës që humbi finalen e vitit 2023 kundër Manchester City, ndaj këtë herë janë edhe më të vendosur për ta rikthyer Interin në majën e Europës për herë të katërt në histori.
Lojtarët për t’u ndjekur: Asnjë lojtar i PSG-së nuk ka kontribuar më shumë në gola këtë sezon në UCL sesa Ousmane Dembélé, me 12 (8 gola, 4 asistime), përfshirë një tregolësh në tokën gjermane kundër Stuttgartit në fazën në grupe. Lautaro Martínez nga Interi kërkon të bëhet lojtari i parë që shënon 10 gola në një sezon europian për zikaltërit, ndërsa mund të bëhet gjithashtu vetëm i gjashti që shënon në të katër fazat me eliminim direkt të një edicioni të vetëm në UCL. Statistikë interesante: Interi ka shënuar i pari në 11 nga 14 ndeshjet e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve.

