Connect with us

Shkrime

Oborri i luftës dhe fundi i republikës/ Një figurë nuk flet por vëzhgon, ajo është Ivanka Trump

Nga Baton Haxhiu

Pjesa I – Shpërtheu ajo që pritej në Shtëpinë e Bardhë

Pas muajsh tensioni të pashprehur, dy figurat më të mëdha të së djathtës moderne amerikane, Donald Trump dhe Elon Musk, shpërthyen publikisht kundër njëri-tjetrit.

“Nuk mund të lejojmë që një njeri me kontrata qeveritare miliarda dollarëshe të mendojë se është mbi ligjin”, tha Trump në mënyrë të papritur gjatë një konference me kancelarin gjerman Merz në Florida.

Musk, në X (ish-Twitter), u përgjigj me ironi: “Ndoshta dikush duhet t’i kujtojë Presidentit se Amerika nuk është një shtëpi private me oborr të brendshëm”.

Në thelb të kësaj përplasjeje nuk është një çështje biznesi. Është një luftë për rrëfimin, kontrollin dhe trashëgiminë e një rendi të ri amerikan, që ka nisur të ndërtohet brenda vetë Shtëpisë së Bardhë – jo si një qeveri demokratike, por si një strukturë e tipit saudit.

Një burim i afërt me këshillin e brendshëm të presidentit, që ka kërkuar të mbetet anonim për Albanian Post, shpjegon:

“Nuk funksionojmë më me kabinete dhe ministra. Ka princër që kanë qasje. Disa janë të afërt me Presidentin. Të tjerët janë me Don Jr. Të gjithë sillen si pjesë e një oborri të brendshëm. Dhe si në oborret e Lindjes së Mesme, besnikëria është më e rëndësishme se ligji”.

Kjo nuk është një metaforë. Është realiteti i një administrate të ndarë në dy oborre, që funksionon përmes rrjeteve të afërsisë, mediave sociale dhe ndarjes së informacionit të klasifikuar për interesa të veçanta. Dhe në qendër të këtij rrjeti, Elon Musk për një kohë ishte njeriu kyç: teknolog, aleat ideologjik, mbështetës logjistik.

Por kur Musk filloi të distancohej nga obsesionet e Bordit, duke kritikuar qasjen izoluese ndaj Evropës, duke kërkuar një marrëdhënie më të balancuar me Kinën dhe duke hedhur dyshime mbi retorikën luftarake ndaj Iranit, ai u pa si kërcënim. Jo më si princ. Por si rival.

Pjesa II – Oborri që sundon nga hija

Në mandatin e parë të Donald Trump-it, pushteti kishte një formë të dukshme. Vendimmarrja kalonte përmes Jared Kushner-it dhe Ivanka Trump-it. Kishte shumë konfuzion, por qendra e gravitetit ishte e njohur. Me tërheqjen e tyre nga skena pas hetimeve për 6 janarin, ajo qendër u boshatis. Dhe boshllëku nuk u la gjatë bosh. E zuri dikush tjetër. Jo me poste. Me ndikim.

Donald Trump Jr. ndërtoi një rreth princëror, ku vendimet nuk diskutoheshin mbi dosje dhe analiza, por mbi ndjenja, hakmarrje dhe besnikëri.

Në këtë strukturë oborri, të njohur si “Bordi i Drejtorëve”, bënin pjesë figura që nuk kishin lidhje me diplomacinë klasike, por me kontrollin narrativ: Tucker Carlson, Charlie Kirk, Laura Loomer dhe për një kohë të gjatë, Elon Musk.

Por kjo nuk ishte thjesht një skuadër ndikimi. Ishte një qeveri paralele, me lidhje direkte në Moskë, Doha dhe Abu Dhabi, dhe me një obsesion për krijimin e një boshti pan-kristian që do të zëvendësonte rendin liberal perëndimor.

Një burim tjetër i brendshëm, për Albanian Post, e përshkruan kështu:

“Ata nuk duan më një Amerikë që udhëheq botën përmes institucioneve. Duan një Amerikë që bën marrëveshje mes burrash të fortë. Si Putin, si Mohammed Bin Salman, si Musk. Janë të fiksuar pas modeleve të pushtetit absolut që nuk pyet për Parlament apo aleancë”.

Kur Musk filloi të kritikonte këtë model, ai u shpall tradhtar. Në një klan pushteti që jeton nga besnikëria, çdo shenjë autonomie është një mëkat.

Pjesa III – Iran, Rusi, Kinë dhe Evropa: përçarja gjeopolitike e dy administratave

Politika e jashtme amerikane është bërë tashmë dypolare.

Krahu i parë: institucional, drejtuar nga Susie Wiles dhe aleatët tradicionalë republikanë

Krahu i dytë: Bordi, që promovon vizione alternative, të përfshira në një memorandum të brendshëm që Albanian Post ka parë.

Aty shkruhet qartë:

-Ukraina është dytësore!

-Rusia duhet legjitimuar!

-Irani nuk është kërcënim!

-Evropa duhet të paguajë ose të heshtë!

Një zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare thotë:

“Është hera e parë që në një takim të NATO-s kemi ndjesinë se flasim në emër të dy qeverive”.

Marrëdhënia me Kinën është thjesht pazari që mbyll qarkun: Bordit i intereson heshtja e Pekinit për të ruajtur paqen me Rusinë dhe për të izoluar Evropën pa përplasur botën.

Pjesa IV – Një Shtëpi e Bardhë me dy dyer

Ngjarja e 3 prillit, takimi sekret me Laura Loomer, ishte sinjali i qartë se pushteti real po del jashtë kontrollit formal.

“Vendimet merren në darkë, pa njoftim dhe më pas komunikohen si fakte”, thotë një tjetër zyrtar i sigurisë. “Nuk jemi më qeveri. Jemi një teatër ku skenari ndryshon nga nata në mëngjes”.

Emrat që qarkullojnë për pozitat më të larta nuk janë për kompetencë, por për bindje personale.

Rick Grenell, Mike Flynn, Tulsi Gabbard – të gjithë pjesë e një plani për spastrimin e Shtëpisë së Bardhë nga ata që mendojnë ndryshe.

Pjesa V – Trashëgimia e heshtur

Dhe në fund të kësaj lufte mes oborresh, një figurë nuk flet, por vëzhgon.

Ajo është Ivanka Trump.

Burime të brendshme raportojnë kontakte të vazhdueshme me qarqe diplomatike dhe fondacione ndërkombëtare. Ajo nuk po kërkon kthimin si këshilltare. Po përgatitet si trashëgimtare. Në një sistem që nuk ndahet më sipas votës, por sipas afërsisë, ajo është garancia e rendit që Trump ndërtoi.

“Në një Amerikë që po largohet nga republika”, thotë një nga figurat që ka qenë afër Ivankës, “ajo është simboli i parë i trashëgimisë familjare”.

Dhe kështu mbetet pyetja: nëse kjo nuk është më një republikë, kush do ta trashëgojë fronin që nuk ekziston zyrtarisht?

Në një rend të ri që nuk matet më me institucione, por me afërsi, kush do të jetë kujdestari i pushtetit të trashëguar?

Mbase nuk do të jetë Trump.

As Musk.

Por ajo që s’po flet, sepse nuk ka nevojë të flasë.

Ky oborr që po shohim sot nuk lindi nga asgjëja, është produkt i një evolucioni të gjatë, ku familjet politike e zëvendësuan republikën me influencë të përhershme.

Sepse kjo nuk është hera e parë që Amerika qeveriset nga një familje edhe kur ajo nuk është më në pushtet.

Bushët, Klintonët, Obamat, e ushtruan ndikimin e tyre përmes rrjeteve, fondacioneve dhe aleancave që mbetën të gjalla shumë kohë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Ajo që po shohim sot është vetëm forma më e zhveshur dhe më brutale e të njëjtit model. E keqja është se ka përfshirë gjithë botën politike.

Por këtë herë, pa asnjë iluzion për republikën…

Advertisement