Shkrime
Fisheku në pajë dhe kthesa dramatike në teoremën e oligarkëve Trump-Musk

Ndarja është vetëm në dukje sensacionale. Është një kthesë dramatike e ngjarjeve për ata që e kishin pëlqyer “teoremën e oligarkisë”.
Shfaqja e një ndarjeje “miqësore” midis Elon Musk dhe Donald Trump ishte jetëshkurtër.
I pari që hapi armiqësinë ishte sipërmarrësi i Tesla-s, StarLink dhe SpaceX. Ai e quajti projektligjin e buxhetit që po diskuton Kongresi, të propozuar nga Shtëpia e Bardhë “të tmerrshëm dhe të neveritshëm”.
Sipas tij, nëse kjo manovër financiare miratohet, ajo do të rrisë një deficit publik “tashmë gjigant” përtej çdo mase. Ai ka të drejtë për faktet.
Nga njëra anë, ky ortek akuzash është i destinuar të konfirmojë frikën që kanë tregjet financiare në lidhje me politikën amerikane të buxhetit.
Nga ana tjetër, kjo polemikë është qetësuese. Nuk ka një sfond të errët. Edhe dimensioni psikologjik, grindja midis dy egomaniakëve, është dytësore. Përplasja e vërtetë është politike: midis një hiper-liberali dhe një populisti.
Kultura ekonomike e Musk është ajo e fituesit të Çmimit Nobel Milton Friedman, Ronald Reagan dhe Margaret Thatcher; ose më së fundmi Javier Milei. Ai i shton asaj një besim të pakufizuar në teknologji.
Vëmendje ndaj votave
Për Trumpin, të flasësh për kulturën ekonomike është e tepërt. Por ai është dikush që di të numërojë votat. Bota e klasës punëtore që e solli atë në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë nuk ia besoi misionin e përdorimit të sharrës elektrike kundër shëndetit publik (Medicare, Medicaid) ose pensioneve (Sigurimeve Shoqërore).
Pavarësisht stereotipeve për një Amerikë pa welfare – kujdesi për mirëqënie-, zërat kryesorë të shpenzimeve publike janë kujdesi mjekësor dhe pensionet.
Në buxhetin federal, ajo që ishte përshkruar si shtylla kurrizore e fuqisë amerikane është gërryer.
Së pari, Musk u përpoq ta kryente seriozisht misionin Doge: Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë.
Zhgënjimi, lobet shtetërore rezultuan më dinake dhe agresive se ai.
Pastaj ai e ktheu vëmendjen e tij te manovra për të cilën Trump po kërkon vota në Kongres. Tmerr i vërtetë. Nuk e zvogëlon deficitin dhe borxhin siç duhet, përkundrazi.
Plutokracia në tërheqje
Shpërbërja është vetëm në dukje sensacionale. Është një kthesë dramatike ngjarjesh për ata që ishin dashuruar me “teoremën e oligarkisë”: ideja se Amerika, me zgjedhjen e Trump, kishte pushuar së qeni demokraci, për t’u bërë një regjim i qeverisur nga një grup i vogël plutokratësh, kapitalistë të gjithëpushtetshëm.
Musk, i cili supozohej të ishte numri një i oligarkëve të supozuar, po tërhiqet dhe po mediton hakmarrjen.
Larg nga të pasuruarit, partneriteti me Trump deri më tani i ka kushtuar shtrenjtë (rënie e vlerave të tregut të aksioneve; rënie e xhiros së Teslës).
Nga ana tjetër, misioni politik me të cilin Musk ishte dashuruar është bllokuar mes një mijë rezistencave: aleanca midis lobeve të punësimit publik dhe gjyqësorit ka bllokuar shumë nga vendimet e tij. Edhe ai ka qenë viktimë e iluzionit të shumë sipërmarrësve të lidhur me politikën, të cilët besonin në mënyrë naive se mund t’ia transferonin vendimmarrjen dhe shpejtësinë e kompanive private Shtetit.
Pushteti tjetër që e mundi Musk është Shtëpia e Bardhë. Tek Trump, instinkti populist mbizotëron mbi ideologjinë. Metamorfoza që ai i imponoi Partisë Republikane e çoi atë nga përfaqësimi i borgjezisë në mbrojtjen e klasave të ulëta të mesme, ku madje fitoi konsensus midis të rinjve dhe pakicave etnike. E djathta sociale del fitimtare nga përplasja e parë serioze me tekno-të djathtën.
Tani do të shohim nëse kjo e fundit ka një bazë të qëndrueshme, për shembull midis të rinjve digjitalë të dashuruar me kriptovalutat. A mund të shkëputet dhe të bëhet parti ai grupim që Musk i kishte sjellë si prikë Trump-it?
Por dypartishmëria amerikane gjithmonë i kanë shtypur përpjekjet për të lejuar lindjen e forcave të treta.
Dhe Musk mbivlerëson – ashtu si kritikët e tij – fuqinë që i japin X dhe paratë e tij.
Federico Rampini, Corriere della Sera

