Politike
SPAK “zbërthen” pastrueset dhe shoferin e Belinda Ballukut, çfarë dëshmojnë?
Hetimet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku kanë marrë një kthesë interesante, duke u fokusuar fillimisht te personat që kishin aksesin më të afërt në jetën e saj private.
Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se ndër personat e parë që janë thirrur për të dëshmuar në ambientet e SPAK janë pastrueset e shtëpisë dhe shoferi personal i ish-ministres. Ky hap procedurial synon të zbardhë detaje të rëndësishme mbi banesat e saj, mënyrën e jetesës dhe lëvizjet e përditshme, të cilat do të shërbejnë si elementë kyç për verifikimin e pasurisë dhe aktiviteteve të saj në funksion të dyshimeve për abuzime.
Aksioni i SPAK nuk është ndalur vetëm te dëshmitë, pasi me urdhër të prokurorëve janë ushtruar kontrolle të imtësishme në një sërë zyrash, banesash dhe vilash luksoze në jug të vendit, si dhe në ambiente të kompanive të ndryshme.
Si rrjedhojë e këtyre kontrolleve, një numër i madh personash të lidhur me ish-zyrtaren e lartë janë thirrur për të dhënë shpjegime të hollësishme. Mes tyre spikat Viola Haxhiademi, aktualisht drejtoreshë e KESH dhe ish-sekretare e përgjithshme, si dhe Laureta Omeri, ish-këshilltare dhe bashkëpunëtore tejet e ngushtë e Ballukut, të cilat janë konsideruar si pika kyçe për të kuptuar vendimmarrjet brenda dikasterit që ajo drejtonte.
Rrethi i personave nën vëzhgim është zgjeruar edhe me përfaqësues të botës së biznesit, të cilët kanë pasur marrëdhënie kontraktuale me Ministrinë e Infrastrukturës. Arbër Abazi është pyetur specifikisht për dy procedura prokurimi, ndërsa Kujtim Hasa nga kompania “Rruga Ura” u ka dorëzuar hetuesve të BKH-së pajisje kompjuterike që pritet të shërbejnë si prova materiale.
I gjithë ky proces hetimor lidhet me dyshimet për abuzime në tendera madhorë, siç janë ndërtimi i tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe, ku hetuesit po tentojnë të gjejnë lidhjet mes pasurive të padeklaruara dhe përfitimeve të mundshme nga abuzimi me postin publik.