Bota
Ushtria e Doge-s e Musk-ut e ‘la zyrën në Uashington të mbushur me drogë dhe buburreca’

Ekipi i Doge-s i Elon Musk-ut raportohet se ka lënë një institucion të financuar nga shteti i mbushur me shishe birre, drogë dhe buburreca.
Musk, i cili dha dorëheqjen nga detyra e tij në administratën e Donald Trump javën e kaluar, u përpoq të shpërbënte Institutin Amerikan për Paqe (Usip) dhe të pushonte nga puna shumicën e punonjësve të tij më herët këtë vit, por u bllokua nga një vendim gjykate.
Usip, ndonëse është themeluar nga Kongresi dhe merr pjesën më të madhe të financimit prej tij, teknikisht është një organizatë e pavarur, gjë që drejtuesit e saj pretendojnë se e mbron nga kontrolli i Trump-it dhe aleatëve të tij.
Colin O’Brien, shefi i sigurisë në Usip, citoi dëshmitarë që thanë se punonjësit e Doge-s “po pinin hashash në ndërtesë”, sipas Politico-s.
The Economist raportoi më herët këtë muaj se pastruesit në selinë e Usip në Uashington kishin gjetur marijuanë që duket se ishte hedhur nga ekipi i Musk-ut.
Sipas The New York Times, gjatë kohës që ishte në fushatë, drejtuesi i Teslës kishte filluar të përdorte drogë, deri në atë pikë sa thuhet se pati një problem me fshikëzën për shkak të konsumimit të ketaminës. Gazeta citonte persona që njihnin aktivitetet e tij dhe kishin qasje në dëshmi të mundshme.
Musk i mohoi akuzat dhe e akuzoi gazetën për “gënjeshtra”.
O’Brien tha se qindra laptopë, të cilët më parë ishin dorëzuar te stafi i Doge-s, u gjetën të grumbulluar rrëmujshëm mbi njëri-tjetrin, ndërsa karikuesit ishin hedhur në kosh.
Ai shtoi se shumë flamuj me emrin e institucionit ishin hequr nga ndërtesa.
“Ishte neglizhencë,” tha ai. “Këta njerëz nuk dinë si të menaxhojnë një kompleks zyrash të madh dhe me disa ndërtesa.”
Stafi kreu ‘pushtim të paligjshëm’
Usip u bë pikë përplasjesh në përpjekjen e Musk-ut për të shkurtuar shpenzimet qeveritare këtë vit, kur stafi i Doge-s u përpoq disa herë të hynte në ndërtesë.
Në mars, ata më në fund ia dolën të futeshin brenda, duke e shtyrë George Moose-in, presidentin në detyrë të Usip-it, të deklaronte se ata “kishin hyrë me forcë në ndërtesën tonë” dhe e quajti këtë “një pushtim të paligjshëm nga elementë të ekzekutivit”.
Disa punonjës u nxorën me forcë nga policia dhe u pushuan nga puna nga administrata Trump dy javë më pas.
Por punonjësit e Usip u rikthyen dhe u lejuan të hynin sërish në ndërtesë në maj, kur një gjykatë e shpalli pushtimin “të paligjshëm” dhe tha se ishte kryer nga “drejtues të instaluar në mënyrë të paligjshme”. / Daily Mail

