Shkrime
Ka flirtuar me Hamasin? Ka rënë pre e inteligjencës komuniste kineze? Kush është Soros, armiku i madh i Donald Trumpit

Presidenti amerikan ka kërkuar dënimin e Gorge Soros, djalit të tij Alex dhe fondacionit të tyre si pjesë të një organizate kriminale që duhat hetuar në kuadër të ligjit RICO. Po cili është vërtet miliarderi dhe filantropi u pasurua nëpërmjet “hedge funds” dhe përjetoi epokën e artë të spekulimit financiar. Cila është saktësia e parashikimeve të tij ekonomike? Si u lidh me qarqet panë Hamasit? Si humbi bastin financiar për fitoren e Trump. Ky është personazhi i një fejtoni të gjatë, që e përditshmja franceze Le Figaro i ka kushtuar George Soros-it.
“Ai u pasurua falë financës spekulative, por gaboi në parashikimin e pasojave ekonomike të zgjedhjes së Donald Trump”, thotë Paul Sugy, në shkrimin e mëposhtëm. Ndërsa ekonomisti me famë, Paul Krugman, thekson: “Sot, investitorët shkaktojnë kriza vetëm për kënaqësinë apo oreksin e tyre për fitim. Këta aktorë të rinj financiarë ende nuk kanë emër, por unë propozoj të marrin atë të : Sorosianit.” Lapsi.al po e sjell të plotë kattër pjesët e një shkrimi të publikuar me fragmente ne javet e shkuara…
Nga Paul Sygy
Të thuash se George Soros u bë miliarder për një ditë të vetme është ekzagjerim… iu deshën vetëm disa orë. Historia ekonomike botërore e mban mend atë ditë (ishte një e mërkurë) si E mërkura e Zezë e Bankës së Anglisë, banka qendrore e Mbretërisë së Bashkuar. Më 16 shtator 1992, sterlina kishte humbur 15% të vlerës së saj që në mëngjes. Dhe asetet e mbajtura nga Quantum Fund, i komanduar nga tashmë shumë i pasuri George Soros, kishin fituar 1,1 miliardë dollarë vlerë shtesë.
Në moshën 62-vjeçare, ky emigrant hungarez, që kishte mësuar ekonominë në Londër duke financuar studimet me punë të përkohshme, sapo kishte fituar një nga bastet më të mëdha në historinë financiare, duke sfiduar falimentimin e një monedhe kombëtare. Që nga fundi i viteve 1950, Soros ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara ku, nga një pozicion modest në ëall Street, arriti të fitonte “jackpot”-in dhe të shkruante emrin e tij me shkronja të arta në manualet e financës – duke u bërë, për shtypin ndërkombëtar, “Njeriu që theu Bankën e Anglisë”.
Suksesi i tij financiar i solli atij të paktën aq respekt, sa edhe frikë nga disa shtete. Por përmes këtij suksesi të madh, George Soros vërtetoi gjithashtu teorinë e tij të “refleksivitetit” të tregjeve, të cilën e shpjegon në librin e tij të parë The Alchemy of Finance (1987). Sipas Soros, tregjet janë “refleksive”, sepse perceptimet e çdo aktori ndikojnë drejtpërdrejt në realitetin ekonomik, duke modifikuar kalimthi perceptimet e tjera dhe duke krijuar cikle reagimesh që mund të prishin në mënyrë të qëndrueshme ekuilibrat.
Rasti i Bankës së Anglisë ishte një laborator gjigant për të vërtetuar këtë ide. Duke qenë se ishte më e brishtë krahasuar me markën gjermane, Banka e Anglisë nuk arriti të ndalonte shitjet masive të sterlinës, të cilat u bazuan gjerësisht mbi mospërputhjen midis vlerës nominale të saj dhe situatës reale ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo ishte ajo për të cilën Soros, që kishte pasur intuitën e nevojshme për ta kuptuar këtë vendosi të vinte bast.
Soros arriti të tërheqë fonde nga bankat amerikane (JP Morgan, Bank of America), duke blerë sterlina në kredi për 15 miliardë dollarë, më pas duke i shitur menjëherë me shpresën për të shkaktuar një zhvlerësim të monedhës, dhe për t’i riblerë ato më lirë, duke përfituar diferencën e vlerës së krijuar nga zhvlerësimi. Banka e Anglisë nuk pa tjetër zgjidhje veçse të dorëzohej. Në orën 19:00, kancelari i Thesarit britanik ( ministri i financave, Norman Lamont) njoftoi rritjen e përkohshme të normave të interesit dhe daljen e sterlinës nga mekanizmi monetar evropian. Kriza u përhap dhe bankat qendrore evropiane filluan të zhvlerësonin monedhat e tyre. George Soros, ishte bërë miliarder.
Një fitore e tillë, megjithatë, krijoi një lloj miti rreth tij. Në vitet në vijim, Soros u bë një figurë e urryer nga qeveritë që e shihnin si spekulator që shkatërronte monedhat kombëtare, dhe i adhuruar nga ata që e shihnin si njeri me vizion të jashtëzakonshëm. Ai vetë nuk e mohoi kurrë se financat dhe politika ishin të ndërthurura në veprimtarinë e tij.
Soros investoi përmes fondeve të tij spekulative (“hedge funds”), që kishin baza në Ishujt Kajman, në Bahamas dhe në Qipro, duke kaluar shuma të mëdha kapitalesh për të blerë ose shitur në tregjet ndërkombëtare. Ai u bë simbol i “kapitalizmit global”, jo vetëm për mënyrën si fitonte, por edhe për idenë se kapitali duhej të lëvizte lirshëm.
Por, nëse bastet e tij mbi monedhat ishin pothuaj gjithmonë fituese, nuk ndodhi e njëjta gjë kur ai vendosi të vinte bast mbi bindjet e tij politike. Gjatë viteve ’90, Soros ishte bërë i famshëm për “spekulimin e pastër”, bazuar në vlerësimin e tij për lëvizjet e tregut. Por në dekadat e fundit, ai u përqendrua më shumë te “spekulimi mbi bindje” – vendosja e basteve financiare të lidhura ngushtë me pikëpamjet e tij mbi politikën dhe shoqërinë. Ai nuk kërkonte më vetëm fitim, por edhe konfirmim ideologjik.
Në vitin 2004, ai shpenzoi rreth 27 milionë dollarë për të mbështetur fushatën e John Kerry kundër George ë. Bush. Ai u përfshi në kauza të mëdha ndërkombëtare përmes “Open Society Foundations”, duke financuar projekte për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin ligjor. Në këtë mënyrë, financat dhe filantropia u ndërthurën gjithnjë e më shumë.
Në vitin 2016, gjatë fushatës presidenciale amerikane, Soros qe rreshtuar si një kundërshtar i hapur i Donald Trump. Ai mendonte se zgjedhja e Trump do të shkaktonte një krizë të thellë në ekonominë amerikane.
Por me Trump, situata ishte ndryshe. Soros besonte se politikat e tij izoluese, konfliktet tregtare dhe tendencat autoritare do të shkaktonin reagime të menjëhershme negative në ekonomi. Kjo bindje e çoi atë në një nga bastet më të mëdha të jetës së tij – dhe një nga më të kushtueshmit. Pas natës zgjedhore, ai urdhëroi shitjen masive të aksioneve dhe investimeve të rrezikshme, duke parashikuar një rënie të madhe të bursave. Por ndodhi e kundërta: tregjet shënuan rritje të fortë.
Duke bashkuar spekulimin me bindjen, Soros vuri bast në vitin 2016 për dështimin e Trump, duke investuar masivisht mbi rënien e aksioneve amerikane pas zgjedhjes së tij. Sipas ëall Street Journal, kjo ide e shkatërrimtare i kushtoi atij pothuajse 1 miliard dollarë humbje. Jo vetëm që tregjet amerikane nuk ranë pas ardhjes në pushtet të armikut të tij në presidencë, por madje u përforcuan: rëniet në sektorët e kërcënuar nga proteksionizmi (industria apo automobilët) u kompensuan shpejt nga pritshmëritë për një politikë deregullimi dhe mbështetjeje të rritjes ekonomike, dhe indeksi Doë Jones u rrit që të nesërmen e zgjedhjeve. I mposhtur politikisht, Soros sapo kishte dështuar edhe ekonomikisht.
Si të shpjegohet kjo kthesë e papritur? Në moshën 86-vjeçare, a nuk e pa George Soros se rregullat e lojës kishin ndryshuar? Apo thjesht ati i qëlloi fati të gjendej përballë një mjeshtri, Donald Trumpit, një biznesmeni edhe më të paparashikueshëm sesa tregjet, i cili, për shkak të obsesionit të tij me performativitetin e fjalës politike, vendosi ta rivendoste fuqinë kombëtare në qendër të ekuacionit ekonomik, duke rimarrë kontrollin që prej kohësh i ishte lënë spekulatorëve dhe tregjeve?
Mbetet një hipotezë e tjetër: që, në fund të fundit dhe që nga fillimi, e gjithë kjo të mos ketë qenë gjë tjetër veçse një lojë me zare, paksa e sofistikuar. Tridhjetë vjet më parë, në një intervistë për Le Monde, Soros refuzonte të parashikonte të ardhmen e dollarit: “Nuk flas kurrë për të, dhe zakonisht preferoj të mendoj se sillem kështu, pasi fjala ime do të kishte një ndikim tepër të madh mbi tregjet. Por e vërteta e thjeshtë vështë se nuk e di fare se cfarë do të ndodhë!”.
2/ A e ka tradhëtuar miliarderi kauzën e “shoqërisë së hapur”
I mbërritur në Londër në vitin 1947, pas një eksodi të mundimshëm nëpër Europë, i riu George Soros arriti, pas dy vitesh përpjekjesh, të regjistrohej në London School of Economics. Ai ëndërronte atëherë të bëhej profesor dhe filozof. në një nga librat e tij të mëvonshëm do të tregonte për vetveten: «E imagjinoja veten si një lloj zoti, reformator i ekonomisë si Keynes, ose edhe më tepër, si një shkencëtar i madh si Einstein!» – asgjë më pak se kaq. Ambiciet e tij intelektuale nuk janë reduktuar, që atëherë.
Si student, ai fillimisht i vuri vetes detyrë të shkruante një libër filozofik, një lloj traktati për shoqërisë, organizimin e saj politik dhe dialektikën mes shoqërive të mbyllura dhe atyre të hapura e tërhiqte. Ai kishte filluar të shkruante The Burden of Consciousness (“Bara e ndërgjegjes”), të cilën nuk e botoi kurrë. Arsyeja: nuk ishte aq i sigurt për idetë e tij. E gjitha nisi në mënyrë të lirë, falë një prove të bërë nga Soros, e frymëzuar nga mësimdhënia dhe mendimi i një profesori të London School of Economics, të cilin nuk e kishte njohur ende dhe të cilit nuk i kishte dëgjuar as emrin – filozofi Karl Popper.
«Një ditë, provova të rilexoja atë që kisha shkruar dhe nuk kuptova asgjë. Vendosa të kthehesha te punët e mia», do të shkruante më vonë Soros. Punët, për momentin, nuk ishin ndonjë sukses: pas të qenit shitës i lodrave turistike, ai përpiqej të nxirrte jetesën duke u dërguar letra të gjitha bankave të City-t për t’u punësuar. Ai ia doli të marrë një vend në një bankë – prej ku e përzunë shpejt: pas një fundjave në Francë, Soros arriti me vonesë në punë, në orën e mbylljes në City.
Vetëm në vitin 1963 dhe pas pesëmbëdhjetë vitesh në Londër, kur ai tashmë ishte bërë shtetas amerikan dhe po ingranohej përfundimisht në ëall Street Soros vendosi ta shpluhrosë librin e pabotuar të vitit 1945 dhe morri guximin ti’a dërgonte atë Karl Popperit, njeriut që e frymëzoi përgjithmonë. Karl Popper i dha një përgjigje inkurajuese dhe e ftoi të takoheshin në zyrën e tij të punës. Por sapo Soros u prezantua profesori mbeti i zhgënjyer. “Po ju nuk qenkeni amerikan! Sa keq”, i tha ai.
Ajo që nuk i pëlqeu Poperit lidhej me ambicien e tij për të eksportuar idetë e veta drej SHBA-së. Ai pati shkruar në vitin 1945 veprën e tij Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj, ku përshkruante lindjen e totalitarizmave të mëdhenj të shekullit XX. Libri kishte si tezë parimin e demokracisë si arbitër i lirë mes personave dhe të drejtën e këtyre të fundit për ti kërkuar llogari atyre që qeverisin.
Ambicia e Karl Popper ishte të bindte amerikanët, të cilët nuk e kishin provuar zgjedhën totalitare të Europës, për vlefshmërinë e tezave të tij. por që ai e shihte të lidhur ngushtë me traditën filozofike të Platonit, të cilin e akuzonte si paraardhës të idesë së “shoqërisë së mbyllur” – që ai e gjente gjithashtu te Hegeli dhe Marksi: pra idesë se historinë e bëjnë udhëheqësit, dhe se qytetarët duhet të nënshtrohen pa kushte ndaj vendimeve të tyre.
Ideja se një amerikan ishte admirues i ideve të tij e kishte përkëdhelur sedrën e profesorit, por në fakt interesi i Soros për “shoqërinë e hapur” është edhe më i hershëm. Ai mbështej mbi përvojën e tij personale nën zgjedhën naziste e më pas sovjetike në Hungari.
«E kam përjetuar drejtpërdrejt se çfarë janë shoqëritë e mbyllura të përshkruara nga Karl Popper», shkruan George Soros në parathënien e një ribotimi të Open Society. «Dhe u bëra menjëherë entuziast përballë këtij koncepti të shoqërive të hapura që, duke u mbështetur tek arsyeja njerëzore – që ndonëse e papërsosur – pranon aftësinë për të ndërtuar një sistem politik në të cilin persona me interesa dhe ide të ndryshme mund të jetojnë në paqe».
Soros, në të njëjtin tekst, e përshkruan me butësi marrëdhënien e tij me Popper, duke lënë të kuptohet se ky i fundit ishte drejtuesi i tij i kërkimit në LSE, gjë që nuk ishte e vërtetë. Ai e pranoi me vonesë, në një libër intervistash, se shumë nga idetë e ndritura që mendonte se i kishte shpikur vetë “në fakt ishin thjesht ide të Karl Popper-it që unë i kisha ‘përtypur’”.
Megjithatë, George Soros u përpoq gjatë gjithë jetës ta ruante imazhin e afërsisë me Karl Popper, deri në atë pikë sa e ftoi mes folësve të parë në një konferencë në Universitetin e tij të Europës Qendrore. Ky do të ishte një nga udhëtimet e fundit të filozofit të famshëm, në vitin 1994. Mbi të gjitha, Soros krijoi në vitin 1979 Open Society Foundations, rrjetin gjigant filantropik që, ndoshta, është veprimi më i madh i jetës së tij, duke i dhënë pikërisht emrin e marrë nga koncepti i Popper-it (në fakt huazuar nga një tekst i Bergsonit), duke kontribuar kështu në popullarizimin e tij ndoshta më shumë se vetë Karl Popper.
Kjo tregon se besnikëria intelektuale ndaj mendimit të Karl Popper ka edhe kufijtë e saj. Sepse Popper është i njohur edhe për idenë që ai e quante “paradoksi i tolerancës”, që përcakton një kufi të të drejtave dhe lirive të mbrojtura nga një shoqëri e hapur: «Për të ruajtur një shoqëri tolerante, ajo duhet të jetë intolerante ndaj intolerancës», shkruante Karl Popper. Ai pohonte se “një shoqëri demokratike duhet të jetë e gatshme të eliminojë, nëse është e nevojshme edhe me forcë, filozofitë intolerante…”.
Nga ky këndvështrim,George Soros, është shfaqur si një dishepull besnik dhe madje i zellshëm i mentorit të tij. Prej gjysmë shekulli, Open Society i ka dedikuar një pjesë të madhe të financimeve të saj për shtypjen e fjalimeve dhe mendimeve të konsideruara të kundërta me idenë e demokracisë liberale që ka Soros, gjë që ka kontribuar shumë që ai të bëhet “armik publik” për partitë reaksionare në Evropë. Soros ka shpenzuar kështu qindra mijëra euro për të luftuar përhapjen e lajmeve të rreme, si rasti i platformës gjermane Correctiv, e cila disa herë është kritikuar në Gjermani për mungesë neutraliteti dhe për ndjekjen e axhendave politike të maskuara si lajme: shembulli më i njohur është brenda një hetimi të gjatë që Correctiv i kishte kushtuar antibiotikëve dhe që gazeta e përditshme berlineze Tageszeitung (ekstremisht e majtë dhe jo e lidhur me të djathtën gjermane) tregoi se ishte i njëanshme dhe mbështetej vetëm në parime ideologjike kundër industrisë farmaceutike.
Mbi të gjitha, George Soros, e kapërceu mendimin e Karl Popper duke shkuar drejt një aktivizmi politik të shkëputur nga konteksti në të cilin filozofi kishte ndërtuar reflektimet e tij mbi totalitarizmat dhe demokracinë. Ai e ka zgjeruar kuptimin e nocionit “filozofi intolerante”. Këto, në kontekstin specifik të botimit të The Open Society në vitin 1945, i referoheshin vetëm fashizmit dhe komunizmit.
Vërehet gjithashtu një largim, i veprimtarisë filantropike të Soros, nga parimet bazë të mendimit mbi demokracinë te Karl Popper. Ky ndryshim vërehet veçanërisht nga vera e vitit 2020, kur lëvizja Black Lives Matter shpërtheu në SHBA me një valë trazirash racore pas vdekjes së George Floyd. George Soros, i cili prej kohësh kishte vepruar kundër segregacionit racor në SHBA, në periudhën kur zezakët iu nënshtroheshin ligjeve të Jim Croë, donte ta krahasonte gjendjen e tanishme me atë të para lëvizjes për të drejtat civile, duke përforcuar idenë se në SHBA-në e shekullit XXI ekziston një “racizëm sistemik”, i pranishëm në mënyrë të pandërgjegjshme në mentalitet. Ai u dha atëherë 220 milionë dollarë shoqatave antiraciste të lidhura me lëvizjen Black Lives Matter.
Por një pjesë e kësaj lëvizjeje është krejt e kundërta e parimeve epistemologjike të vetë Karl Popper. Duke mbështetur këtë ofensivë të gjerë, ndonjëherë kundër lirive si ato të shprehjes apo mësimdhënies, George Soros vetë i ka dhuruar me duart e veta armë të fuqishme kritikëve të tij. Kështu, fondacioni i tij u bë objekt kritikash nga disa pjesë të lëvizjes Black Lives Matter që ai vetë i k mbështetur, kur në vitin 2021, pas një riorganizimi i nevojshëm i Open Society u detyrua të shkarkonte drejtuesin esaj Patrick Gaspard dhe ta zëvendësonte me Mark Malloch Brown. Problemi: i pari është i zi ngjyrë, i dyti është i bardhë. Mjaftoi kaq Neë York Times të botonte menjëherë një artikull ku hidheshin akuza për racizëm strukturor brenda vetë Open Society, duke i përmendur Soros-it mungesën e ndjeshmërisë ndaj çështjeve të diversitetit racor. Ky është gjithashtu shembull i paradoksit të intolerancës: dikush është intolerant edhe ndaj atij që e ka toleruar.
3/ I shpëtuari i holokaustiti që çoi para te Hamasi
György Schwartz lindi në Hungari në 1930 në një familje ashkenaze (babai i tij do ta ndryshonte disa vite më vonë mbiemrin në Soros) dhe asistoi në pushtimin e vendit të tij nga Gjermania naziste, më 19 mars 1944, kur ai kishte vetëm 13 vjeç. Atë vit, historianët vlerësojnë se rreth 825.000 hebrenj jetonin ende në Hungari. Midis majit dhe korrikut, nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë të Adolf Eichmann, një komandë SS e instaluar në Budapest kontrolloi deportimin e 434.000 hebrenjve hungarezë, kryesisht drejt Auschwitz, ku 80% u vranë që në mbërritjen e tyre në kampin e përqendrimit, në dhomat e gazit. George Soros i shpëtoi fatit të tyre falë bashkëpunimit të një nëpunësi të ministrisë së Bujqësisë, që e mori atë nën mbrojtjen e tij me një identitet të rremë: që prej shpëtimit të tij, ai është një i mbijetuar i Shoah-ut.
Në një artikull në formë manifesti botuar në 2007 në The New York Review për të kritikuar me ashpërsi politikën e George Bush në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e «American Israel Public Affairs Committee (AIPAC)», pika e fortë e të djathtës izraelite në Shtetet e Bashkuara, George Soros shkruante: «Për një kohë të gjatë jam përmbajtur të hyj në debatin mbi Lindjen e Mesme… Unë jam i shqetësuar për qëndrueshmërinë e Izraelit… si një hebre i mbijetuar i Holokaustit kam një ndjenjë përgjegjësie për bashkëbesimtarët e mi hebrenj dhe një shqetësim të thellë për mbijetesën e Izraelit, dhe nuk doja të çoja ujë ë mullirin e armiqve të Izraelit.» Por, që nga ajo kohë, George Soros i la mënjanë këto masa paraprake për t’u futur në një kryqëzatë të ashpër kundër qeverisë izraelite, deri në atë pikë sa të financojë masivisht, përmes Open Society, organizata antisioniste me lidhje herë pas here të turbullta me armiqtë e sigurisë së Izraelit.
Këto lidhje arritën deri në atë pikë sa që autoritetet izraelite dhe aleatët e tyre perëndimorë kanë denoncuar ndonjëherë një bashkëpjesëmarrje pasive të Soros në ringjalljen e antisemitizmit, në Lindjen e Mesme dhe në Perëndim. Paradoksi bëht edhe më i madh, kur mëson se George Soros vetë, si hebre që shpëtoi nga Holokausti, është vërnë një shënjestrën e së majtës progresiste, duke u shnderuar njëkohësisht në një objekt fushatash me nuanca antisemitike.
Në 2017 në Hungari, Viktor Orban e bëri Soros-in armikun e tij të preferuar politik, duke organizuar fushata me postera të shpërndara në mbarë territorin kombëtar. Ai e akuzonte për mbështetje të shoqatave pro-migracion dhe përpjekje për të manipuluar opozitën socialiste, duke e shndërruar figurën e Sorosit në simbol të gjitha mitologjive të teoricienëve të komplotit. “Tentakulat e çifutit Soros janë shtrirë në politikën evropiane dhe amerikane” shkruhej në pankartat e partisë së Orbanit.
«Hebreu Soros» u fut kështu në listën e figurave satanizuese të gjuetisë të shtrigave ndërkombëtare: nga Henry Kissinger, e deri tek financuesi i famshëm amerikan i NASDAQ, Michael Milken. Sipas Rudy Reichstadt, kundërshtarit të madh të teorive të komplotit dhe antisemitizmit, ai u shndërrua në «një sinonim të’oktapodit që është kafsha-totem e ikonografisë konspiracioniste».
Nuk ka dyshim, George Soros nuk lë askënd indiferent. Angazhimet politike shumë të majta e kanë bërë atë shënjestër të lëvizjeve konservatore, ndërsa hebraizmi i tij ushqen njëkohësisht dy ndjenja instinktive që reflektohen si në pasqyrë: disa e urrejnë se janw antisemitë ndwrsa tw tjerë ankohen se këto fushata shpifjeje nuk bëjnë gjë tjetër veçse nxjerrin Soros-in të pafajshëm për gabimet e tij.
Kështu, një teoricien amerikan i komplotit, Lyndon LaRouche, ka hedhur në treg idenë sipas së cilës George Soros si adoleshent kishte kryer krime në bashkëpunim me nazistet, gjatë pushtimit të Hungarisë. Kjo tezë e gënjeshtërt është përsëritur shpesh nga ata që duan ta diskreditojnë Soros-in dhe të fshehin rrethanat që e shpëtuan atë nga kampet e vdekjes: Baumbach, nëpunësi administrativ, të cilit i ati i Sorosit i besoi shpëtimin e të birit, u ngarkua, më pas, nga qeveria kuislinge hungareze të bënte disa shpronësimeve të hebrenjve hungarezë. Po askush s mund të thotë se ku hyn këtu fajësia e një djaloshi adoleshent.
E vërteta është se nënpunësi e bënte këtë kompromis për të mbrojtur bashkëshorten e tij, e cila ishte vetë hebreje. Siç e ka treguar gazetarja amerikane Nadine Epstein, Soros shpesh i ka rrëfyer këto episode më vonë në intervista, për të shpjeguar se ai kishte mësuar të jetonte në një botë pa rregulla për të justifikuar lehtësinë me të cilën ai lundronte në universin e financës dhe tsë tregut. Kundërshtarët e tij e kanë përdorur këtë anekdotë për ti hedhur fajin një adoleshenti 13-vjeçar duke i vënë mbi shpinë krimet e njeriut që e kishte marrë nën mbrojtje për ta shpëtuar nga deportimi. Edhe sot, personalitete pranë Benyamin Netanyahu-t dhe shumë të tjerë, që për shkak të moshës nuk i përjetuan vuajtjet e padurueshme që shumë hebrenj pësuan në vendet e pushtuara, e përdorin këtë rrëfim për ta trajtuar Soros-in si nazist.
Të nazistifikosh Soros-it është për më tepër qesharake ngaqë angazhimi i tij politik dhe itinerari i tij intelektual kanë në thelb, siç e pamë, mbrojtjen e shoqërive të hapura përballë regjimeve fashiste dhe komuniste. Megjithatë, marrëdhëniet që ka krijuar Soros me Izraelin janë në të vërtetë ambigue. Open Society më shumë se një herë është detyruar të bëjë hapa pas përballë devijimeve të organizatave për të cilat Soros kishte menduar se do të ishin hallka të dobishme për të majtën izraelite, por që përfundimisht dolën të lidhura me armiqtë vdekjeprurës të shtetit hebre.
George Soros nuk e ka fshehur kurrë mbështetjen e tij për opozitën ndaj Likud-it, entuziazmin e tij për nënshkrimin e marrëveshjeve të Oslos dhe simpatinë e tij ndaj Yitzhak Rabin, të cilin ai e ka përshkruar si kryeministrin më të mirë që ka pasur shteti i Izraelit. Në tekstin e tij të vitit 2007, Soros e konsideron AIPAC (dhe sionizmin e djathtë në përgjithësi) si pjesërisht përgjegjës për forcimin e armiqve të Izraelit nëpër botë, duke refuzuar «dogmatizmin» e Bush-it, që atëherë refuzonte të njihte zgjedhjet me të cilat Hamasi sapo kishte ardhur në pushtet në Gaza. Soros bënte thirrje për një njohje nga Shtetet e Bashkuara të një qeverie palestineze që përfshinte Hamasin dhe dënonte zgjedhjen (të mbështetur nga AIPAC) për ta konsideruar Hamasin si një organizatë terroriste.
Sulmi i 7 tetorit 2023 provoi përpara syve të gjithë botës natyrën e vërtetë të Hamasit, por, për Sorosin ka qenë fillimisht intoleranca e izraelitëve dhe e amerikanëve ajo që e shtyu Hamasin të pëdorte dhunën terroriste kundër Izraelit. Duke bashkuar fjalën me veprën, Soros nuk ka pushuar së financuari organizatat pro-palestineze, por këto veprime filantropike e kanë çuar disa herë drejt subvencionimit të krahut të armatosur të antisemitizmit botëror dhe të luftës terroriste kundër shtetit hebre.
Kështu, në vitin 2020, Open Society akordoi një çek prej gjysmë milioni dollarësh për një OJQ pseudo-humanitare, Islamic Relief Worldwide, e konsideruar terroriste në Izrael, të cilën shërbimet qeveritare e akuzonin se financone Hamasin, dhe që për disa vende perëndimore, përfshirë Gjermaninë, shihej si e lidhur me Vëllezërit Myslimanë. Në atë periudhë, verën e vitit 2020, drejtori i degës austriake të Islamic Relief Worldwide, Heshmat Khalifa, u detyrua të japë dorëheqjen pasi kishte deklaruar se hebrenjtë ishin “nipërit e majmunëve dhe të derrave”. Polemika do të ishte mbyllur, po të mos ishte pasardhësi i tij, Almouztat Tayara, i cili gjithashtu dha dorëheqjen pasi mbështeti Hamasin si “forcën më të madhe të rezistencës në historinë moderne”, duke shpërndarë në Facebook karikatura ku Barack Obama paraqitej nga hebrenjtë me një kravatë të stolisur me yllin e Davidit.
Në total, Open Society mendohet të ketë shpenzuar mbi 13 milionë dollarë për organizata të afërta me Hamasin ose që kanë justifikuar sulmet e 7 tetorit. Midis përfituesve të këtyre fondeve të shpërndara përmes Tides Center, gjendet Adalah Justice Project (AJP), një shoqatë e vogël amerikane, e cila shpërndau imazhe pas 7 tetorit duke deklaruar se ky sulm terrorist përbënte “një akt rezistence dhe një reagim natyral ndaj shtypjes”. Në të njëjtën kohë, sipas një raporti hetimor të Parlamentit Evropian, Open Society shpenzoi 3 deri në 5 milionë dollarë për organizata të tjera të lidhura me qeverinë iraniane.
Një artikull i New York Post tregoi gjithashtu se Open Society kishte akorduar në vitin 2018 një subvencion prej 60,000 dollarësh për Arab American Association of New York, e cila më pas organizoi një tubim në Brooklyn gjatë të cilit u hodhën slogane që bënin thirrje për zhdukjen e shtetit të Izraelit. Përballë disa zbulimeve të kësaj natyre, Open Society është detyruar të tërhiqet, veçanërisht duke ndaluar subvencionet për shoqata humanitare në Turqi apo në Indonezi, të cilat u zbuluan si maska të propagandës islamiste.
Djali i vogël i George Soros, Alexander, i cili mori drejtimin e Open Society në vitin 2023, iu përgjigj akuzave në një deklaratë të ribotuar në vitin 2024 nga agjencia Jewish News Syndicate, ku kujtoi se vepra e të atit kishte pasur gjithmonë për qëllim “të luftojë urrejtjen etnike, fetare dhe racore në të gjitha format e saj”, përfshirë antisemitizmin. Në përgjigje të ambasadorit izraelit pranë Kombeve të Bashkuara, Gilad Erdan, i cili e cilësoi si “turp” mbështetjen e Open Society për “organizata që kërkojnë të shkatërrojnë Izraelin”, Alex Soros kujtoi se Open Society lufton antisemitizmin dhe se organizata e tij dënon gjithashtu “përdorimin mashtrues të këtij termi si armë për të mbyllur debatin”. Me këtë rast ai njoftoi një fond të ri prej gjysmë milioni dollarësh për të luftuar antisemitizmin. Edhe Aleksi sbëri asgjë më shumë se besnikëria ndaj metodës së babait të ti: kur një çek nxit polemika duhet nënshkruar një tjetër për të mbështetur një kauzë që të nxjerr nga situata e vështirë që ka krijuar i pari.
4/ Si ra miliarderi në kurthin e shërbimit sekret kinez
Cili është momenti kur një njeri ndihet mjaftueshëm i pasur sa për të filluar ta japë për bamirësi një një pjesë të pasurisë së tij?
George Soros e kaloi këtë prag në fillim të viteve 1980, kur pasuria e tij personale arriti në 25 milionë dollarë. Ai u hodh me kokë në aventurën filantropike, duke krijuar më 1979 Open Society Institute, që më vonë do të bëhej Open Society Foundations. Për rreth katër dekada, Open Society ka shpenzuar më shumë se 32 miliardë dollarë, duke u renditur kështu si një nga fondacionet më të rëndësishme në botë, menjëherë pas atij të Bill Gates dhe, në planin historik, atij të farmacistit Henry ëellcome.
Por bamirësi nuk bëhet me të njëjtën lehtësi me të cilën spekullohet në bursat financiare. Në kundërshtim me “success-story”-n legjendar që do të tregonte më vonë George Soros për veten, përvojat e para filantropike ishin dështime të hidhura. Ai e mësoi me vonesë se, duke shpenzuar shuma marramendëse, mund të mos kesh aspak efektin e dëshiruar. Kjo ndodhi në Afrikën e Jugut, ku George Soros u angazhua për herë të parë si filantrop.
Pasi kishte shpërndarë disa bursa për disidentët e vendeve të bllokut sovjetik, ku çdo opozitë ishte e ndaluar, Soros u përqendrua te Afrikën e Jugut dhe te rektori i Universitetit të Cape Toën. Institucioni ishte një nga të paktët xhepa të rezistencës ndaj politikave raciste të Apartejdit, por kjo rezistencë nuk i kapërcente kufijtë simbolikë. Soros ofroi bursa për të ndihmuar studentët e zinj të Afrikës së Jugut të kryenin studimet, i bindur se formimi intelektual i një elite të re do ta shpejtonte fundin e aparteidit. Krenar që hynte për herë të parë në një aventurë politike dhe i bindur se do ta transformonte lehtësisht situatën e vendit, ai i dorëzoi Universitetit 80 bursa. Ishte një lloj “çeku të bardhë” për rektorin, i cili, pavarësisht idealeve të tij për ndryshim dhe tolerancë, nuk kishte mjete të mjaftueshme për të rekrutuar në masë studentë të zinj. Në fakt, shuma e madhe e përfituar nga universiteti nuk shërbeu veçse për disa studentë të bardhë të varfër. Sipas biografes së tij, Anne-Marie Rocco, George Soros e pezulloi menjëherë kreditimin dhe më vonë shpjegoi se, nëse ai shpenzoi kaq shumë në Afrikën e Jugut, ishte sepse nuk e kuptoi “kompleksitetin e sistemit”.
Soros e kuptoi vonë, por vendosi se në të ardhmen nuk do t’ia besonte më dhënien e fondeve institucioneve të mëdha universitare, por se do të mbështetej te punonjësit e fondacionit të tij në terren, për të ndjekur më afër përfituesit e bursave. Për këtë, duhej të mbështetej në rrjete njerëzish të besueshëm, që dinin të gjykonin cilët ishin studentët më të përshtatshëm, sidomos në vendet ku regjimet diktatoriale përdornin mashtrime për të përfituar nga ndihmat ndërkombëtare. Që atëherë, përfituesit e bursave filluan të rekrutoheshin me një vigjilencë të shtuar.
Në këtë frymë Soros takoi Liang Heng. Ky student i Columbia-s sapo kishte botuar një autobiografi me titull Son of the Revolution (“Djalli i revolucionit”, 1983), ku tregonte për ekseset e revolucionit kulturor maoist që familja e tij i kishte pësuar në kurriz: babai i tij ishte poshtëruar publikisht si “intelektual kundër-revolucionar”, ndërsa vetë Liang Heng si “bir i intelektualit kundër-revolucionar”, u dërgua për riedukim në fshat, dhe u rekrutua në organizatat rinore të Gardistëve të Kuq. Ashtu si shumë lexues amerikanë, George Soros u trondit nga ky rrëfim: tmerri që i ngjallnin regjimet totalitare të kohës së nazizmit dhe stalinizmit, papritmas i dukeshin të përsëritura në mënyrë identikike në atë revolucion kulturor të shpalosur nga i riu kinez.
Historia është tashmë e njohur, por ajo u rrëfye me talent nga gazetari australian Alex Joske, i cili publikoi më 2022 një libër të shquar mbi mënyrën si Kina infiltron në pjesën tjetër të botës. Liang Heng u rekrutua nga Open Society për të ndihmuar studentët kinezë dhe për të identifikuar, sipas eksperiencës së tij, ata që mund të bëheshin liderë të ndryshimit, dhe mbi të cilët fondacioni duhej të mbështetej për të përshpejtuar ndryshimet.
Historia zhvillohet në vitin 1984, pesë vjet pas njohjes së regjimit komunist kinez nga Shtetet e Bashkuara, kur nën efektin e një lëvizjeje reformash të nisura nga Ten Siaopini, Kina synoi një hapje përfundimtare ekonomike kineze me botën, duke nxitur tregtinë e jashtme dhe duke firmosur kontrata me Boeing dhe Coca-Cola. Liang Heng u bë shpejt ndërmjetësi mes George Soros dhe qarqeve ekonomike e akademike kineze më të favorshme ndaj reformave. Ai u afrua me drejtues të Partisë që mbronin hapjen dhe liberalizimin, dhe George Soros nisi të krijonte rrjetin e tij, në interes të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe të Kinës.
George Soros shfrytëzoi mundësinë që iu dha për të krijuar Chinese Fund, me mbështetjen e autoriteteve kineze. Ky fond kishte objektivin për të përhapur idetë e tij për një shoqëri të hapur dhe për të mbështetur reforma që e orientojnë Kinën drejt së ardhmes. Ai nuk investoi vetëm në projekte universitare apo në kërkime shkencore, por edhe në përgatitjen e kuadrove që do të drejtonin vendin në të ardhmen. Me ndihmën e Soros-it, Instituti i Reformës së Sistemit Ekonomik u themelua brenda Partisë, një lloj laboratori idesh që do i shërbente politikave të hapjes. Ky institut u bë në fakt “Open Society” e parë për Kinën, dhe Soros u ftua në inaugurimin e tij në vitin 1986. Në atë kohë, në një Kinë të etur për reforma, rezultatet e para të dukshme nuk munguan: marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe botën u gjallëruan, ekonomia bëri përpara, dhe për një moment u duk se regjimi komunist do të përfundonte duke u transformuar në një shoqëri tërësisht të hapur.
Chinese Fund mund të mbështetej edhe mbi një faktor politik vendimtar: ardhjen në pushtet të Zhao Ziyang-ut, si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Kineze, i cili i la Soros-it një liri të madhe iniciative. Fondi zhvilloi seminare të shumta në klubin e elitës Pekin, në universitetin e Shkencave Sociale, dhe në shumë qendra të tjera kërkimore ekonomike. Chinese Fund financoi gjithashtu punimet mbi Revolucionin Kulturor, apo edhe të gazetarit Dai Qing, që kundërshtonte ndërtimin e digës gjigande të Tri Luginave, një ëndërr e vjetër e Republikës Popullore, ndërtimi i së cilës do të kërkonte zhvendosjen e 2 milionë njerëzve.
Por Soros deshi të bënte shumë, përnjëherë dhe ndoshta tepër shpejt. Linja reformiste e Partisë humbi terren përkundër ndikimit të Zhao Ziyang-ut, dhe kjo ndërhyrje amerikane u përdor si mjet propagandistik. Udhëheqja kineze vendosi t’ia dorëzonte drejtimin e Chinese Fund Yu Enguang-ut, një funksionari të lartë të Ministrisë së Kulturës, por që ishte nën kontrollin e shërbimeve sekrete. Soros ishte i bindur se po bashkëpunonte me një intelektual të hapur. Në të vërtetë, Yu Enguang e futi Chinese Fund nën ndikimin e Shërbimit të Sigurisë së Shtetit, duke e shndërruar atë në një mjet ndikimi të Partisë mbi botën e jashtme.
Fondi përdorej për të përzgjedhur të rinj të talentuar, të cilët dërgoheshin më pas në Shtetet e Bashkuara me bursa, por gjithnjë me një përgatitje ideologjike shumë të kujdesshme. Studentëve u bëhej një lloj indoktrinimi politik, me kurse ku mësonin për doktrinën zyrtare të Partisë, duke i recituar në kor.
Pikërisht nga ky moment, regjimi kinez do të përdorte Chinese Fund si një platformë ekskluzive për të forcuar marrëdhëniet me botën e jashtme, duke anashkaluar sanksionet dhe duke kontrolluar çdo shkëmbim kulturor.
Por në vitin 1989 gjithçka ndryshoi: studentët që përfitonin bursat dolën në sheshe për të protestuar kundër regjimit, dhe kjo përfundoi me masakrën e sheshit Tiananmen. George Soros e kuptoi menjëherë se ishte manipuluar. Ai shpalli menjëherë mbylljen e fondit dhe u largua përfundimisht nga Kina. Liang Heng, i cili atëherë ishte bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, do ta qortonte rëndë: “Ti doje të na blije me paratë e tua, por ishin kinezët ata që të blenë ty me paratë e tua,” i tha ai.
Ky ishte fundi i aventurës kineze të George Soros-it.
Më pas, Open Society do të përqendrohej në Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik, ku ndikimi i saj do të ishte i dukshëm në vitet ’90. Ndërkohë, Chinese Fund kaloi nën drejtimin e një ish-funksionari të Partisë, Yu Enguang, dhe më pas përfundoi i lidhur me aparatin zyrtar të sigurisë kineze.
Në vitin 2017, një fond tjetër i ngjashëm, i quajtur You Fung, u krijua si pasardhës i Chinese Fund, dhe ai mbeti nën kontrollin e Partisë Komuniste, me seli në Ministrinë e Sigurisë së Shtetit.
Publikimi i Paradise Papers në vitin 2017 zbuloi se Yu Enguang, bashkëkryetar i Chinese Fund dhe i vendosur në atë detyrë nga Partia Komuniste, kishte adresën e tij personale në selinë e Ministrisë së Sigurisë së Shtetit – pra, në shërbimet sekrete kineze! Kështu, sipas studiuesit Alex Joske:
“Yu Enguang arriti ta bindte Soros-in që, pa e kuptuar, të vendoste fondin nën kontrollin e shërbimeve sekrete kineze, duke hedhur bazat e një prej operacioneve të para të ndikimit kinez mbi botën perëndimore.”
Ja kështu, George Soros përfundoi pa e ditur duke i shërbyer regjimit komunist që ai vetë kishte synuar të luftonte. Ndoshta ai e mbajti mend mësimin, sepse shumë më vonë, në vitin 2020, ai e sulmoi publikisht Donald Trump-in, duke denoncuar çdo politikë të pajtimit me ekonominë kineze si kompromis të rrezikshëm dhe duke kritikuar hapur koncesionet e dhëna për kompaninë Huawei.
Megjithatë, Soros dukej se kishte harruar disi shpejt se edhe ai vetë, dikur, kishte bërë gabime shumë më të mëdha vlerësimi – me pasoja të rënda.

