Shkrime
Kartoni i kuq nga Amerika dhe rreziku i vetmisë së madhe…

Prof. Dr. Kristaq Xharo
Kartoni i kuq nga Amerika – a po e çoni Kosovën drejt vetmisë? – Vendimi i Departamentit të Shtetit për pezullimin e Dialogut Strategjik nuk është një letër protokollare, por një kambanë që bie me forcë. Amerika thotë: jemi me popullin dhe shtetin e Kosovës, por nuk mund të jemi edhe më tej me një qeveri kujdestare dhe një kryeministër që ka marrë tashmë “kartonin e kuq” për sjellje të pamatura. Mesazhi është i prerë: ShBA-ja është me Kosovën, por jo me Albin Kurtin.
Autogolat që po e shndërrojnë Kosovën në lojë të humbur? – Ndërsa Perëndimi kërkon maturi dhe koordinim strategjik, qeveria shpesh ka zgjedhur kokëfortësinë, duke e shndërruar Kosovën nga partner në pikëpyetje. Për aleatët euroatlantikë, ajo mbetet hallkë e brishtë e sigurisë evropiane; për kryeministrin, duket më shumë arenë eksperimenti politik. Ky kontrast thellon hendekun e perceptimeve: Perëndimi mendon në terma gjeopolitikë, ndërsa qeveria sillet me axhenda elektorale. Pasojat janë të rënda – distancim nga aleatët, dhurata për Beogradin, rrezik i ndezjes së veriut. Në kohën kur vëmendja globale është e mbërthyer te Ukraina, çdo hap i gabuar në Prishtinë është autogol diplomatik që mund ta lërë Kosovën të vetme në dallgët e pasigurisë.
Mund të fitosh disa beteja politike, por të humbasësh luftën gjeopolitike? – Zbigniew Brzezinski – një nga gjeo-strategët më të mëdhenj amerikanë të Luftës së Ftohtë – na mësonte se gjeopolitika shpreh efektet e politikës përtej kufijve. Ndërsa Kosova zgjodhi politikën ditore, aleatët e mëdhenj lexojnë gjeopolitikën. Katër karrige bosh në komunat veriore, vetëm një ‘naiv politik’ mund t’i krahasonte me vlerën e aleancës me ShBA-në dhe NATO-n. David Mitrany – teoricien britanik i integrimit – paralajmëronte se politika pa horizont kthehet në cikël; dhe ja ku jemi sot, duke u rrotulluar brenda një cikli që na largon nga aleatët kur na duhej vizioni. Dhe kur Sergei Lavrov – ministër i ‘përjetshëm’ i jashtëm rus – shpall “mos-indiferencën” ndaj serbëve në Kosovë, a nuk e kuptojmë se ‘pa dashje’ jemi bërë pjesë e një skenari që po luhet në Kosova, në mos të përgatitur, por aq të dëshiruar në Moskë dhe Beograd?
Midis taktikave dhe betejave. A është strategji të bësh gjithçka në kohën më të gabuar? Michael Porter autor i bestseller “Avantazhi konkurrues i kombeve” (The Competitive Advantage of Nations’, lajmëronte se: “thelbi i strategjisë është të zgjedhësh çfarë të mos bësh.” Përse po bëjmë të kundërtën. Veprime të pakoordinuara, në momentin më të keq, pa plan B dhe pa aleatë në krah. Alvin Toffler – futurist amerikan, autor të “Tronditje të së ardhmes” (Future Shock) dhe “Valë e tretë” (The Third Wave) – paralajmëronte se “kur të mungon strategjia, ose do të ecësh somnambul, ose do të bëhesh pjesë e strategjisë së kundërshtarit.” A po ndodh pikërisht kjo që: Kosova po bëhet pjesë e skenarit të dëshiruar të kundërshtarit, qoftë edhe pa dashur…
Pa aleat strategjik, e ardhmja e Kosovës është në rrezik. Hans Morgenthau –‘kumbari i realizmit’ – e quante fuqinë e fortë (hard power) “monedha e vetme e këmbyeshme në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Por në mungesë të fuqisë së fortë, Kosova nuk ka ushtri të madhe e të fuqishme, as ekonomi të fuqishme si mund të luaje në fushën ndërkombëtare. Ndoshta duhet të rilexoj, Joseph Nye – teoricien amerikan –arkitekt i fuqisë së butë (soft power) na vjen në ndihmë kur na jep busullën që shtetet e vegjël mund të kompensojnë përmes fuqisë së butë: sjellje, vlera, aleanca. Dhe pikërisht këtu, që mund të ishte vizioni strategjik, po shkatërrohet kapitali më i madh i Kosovës – imazhi i një shteti që respekton demokracinë dhe aleatët. Një shtet i vogël pa fuqi të fortë, pa fuqi të butë dhe pa aleanca mbetet pa mbijetesë, në mëshirën e stuhive.
A nuk na mëson historia se kumbarin strategjik e humb me pasoja të parikuperueshme? Henry Kissinger – ish-sekretar amerikan i Shtetit – thoshte se sistemi ndërkombëtar është produkt i fuqive të mëdha. Ballkani e dëshmon këtë përditë. Lidhja e Prizrenit, 150 vjet më parë, lëvizja më e madhe e shqiptarëve pas Skëndërbeut, e kuptoi se fati i shqiptarëve, veç grykës së pushkës do të vendosej në tryezat e fuqive të mëdha. Dhe përse: asnjë nga fuqitë e mëdha nuk ishte dashamirëse me shqiptarët, Duhej kaq gjatë që të gjenin kumbarin tek Amerika e cila na u ndodh pranë në momentet më të vështira dhe të realizohej shpresa. A kemi luksin ta humbasim këtë mbrojtës natyror me veprime naive?- Jo. Atëherë përse ky është harakiri strategjik me pasoja fatale.
A duhet të fundoset anija sepse kapiteni mori kartonin e kuq? – Të jesh burrështetas që mendon për brezat e ardhshëm apo politikan qe mendon vetëm për zgjedhjet e ardhshme… Alegoria është e thjeshtë: anija quhet Kosovë, stuhia quhet gjeopolitikë, porti quhet siguri euroatlantike. Kapiteni, nëse mendon kombin e shtetin mbi të gjitha interesat e tjera duhet të reflektojë duke u tërhequr pasi nuk mund të luash me ‘karton të kuq’.
A është patriotizëm të sfidosh aleatin që të shpëtoi? Pasojat: dështimet më të mëdha të Kurtit lidhen me prishjen e pritshmërive të Perëndimit dhe izolimin diplomatik të Kosovës: mungesa e njohjeve të reja dhe valët e ç ‘njohjeve, pezullimi i dialogut me Serbinë, sanksionet politike nga BE dhe distancimi i SHBA-së, si dhe përshkallëzimi i krizës në veri që dëmtoi imazhin e Kosovës si faktor stabiliteti. Këto nuk janë thjesht pengesa të përkohshme, por sinjale alarmi se pa koordinim strategjik, Kosova rrezikon të humbasë kapitalin më të çmuar politik që ka ndërtuar pas shpalljes së pavarësisë: besimin dhe mbështetjen e aleatëve kryesorë
Quo vadis, Kosovë? Zgjedhja është e qartë dhe e pashmangshme: ai bëhet midis maturisë që siguron mbështetjen euroatlantike apo vetmisë që sjell aventurë politike, mes strategjisë afatgjatë apo improvizimit populist të rrezikshëm. Kapitenët e politikës janë të përkohshëm, por anija – shteti – është i përhershëm, i përbashkët dhe detyrimi për kursin e saj i përket të gjithëve. Sot pyetja nuk është thjesht “ku po e çoni Kosovën, zotërinj politikanë?”, por nëse kjo anije do të ankorojë në portin e sigurisë me SHBA dhe aleatët, apo do të mbetet mes dallgëve të pasigurisë, e braktisur dhe e harruar. Zgjimi vjen sot, sepse horizonti errësohet pa aleat strategjik, ndërsa koha nuk pret: Kosova ose do të hyjë në histori si shembull i maturisë, ose në kronikë si paralajmërim i marrëzisë.
Epilog: Kur Ismail Qemali, ‘babai i kombit’ dha dorëheqjen në vitin 1914, gati 14 muaj pas kishte krijuar shtetin shqiptar, ai nuk e bëri nga pamundësia, por nga vizioni: kuptoi se Shqipëria e sapolindur nuk mund të shpëtonte pa sakrificë personale. Ruajta e aleatëve të mëdhenj të vendit vlente shumë më tepër e ai edhe për këtë nderohet si një burrështetas. Ai zbriti nga timoni për të mos e përplasur shtetin me vetminë e madhe. Sot, kryeministri Kurti gjendet në udhëkryq të ngjashëm. Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA është “kartoni i kuq”, që paralajmëron se Kosova, pa aleat strategjik, SHBA, rrezikon të mbetet anije pa busull e pa port sigurie. Si atëherë, edhe sot dorëheqja nuk do të ishte disfatë dhe fund i rrugëtimit, por akt shtetari: një lider që nuk sakrifikon shtetin për egon e tij. Sigurisht që kërkon guxim e vizion…a mund ta bësh…?
* Prof.Dr. Kristaq Xharo: Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET

