Connect with us

Politike

Rama nuk kursen tonet e forta për Policinë e Shtetit: U kanë vënë gjoba fshatarëve, shteti është më i madh se ju

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot zyrtarisht ministren e re të Brendshme, Albana Koçiu, në një fjalim ku nuk munguan as tonet e forta ndaj Policisë së Shtetit dhe rolit të saj në kontrollin e territorit.

Në fjalën e tij, Rama u ndal veçanërisht te ndërhyrjet e fundit për prishjen e ndërtimeve pa leje, duke theksuar se tashmë Policia ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë proces, ndërsa nuk kurseu as kritikat për të kaluarën.

“Kontrolli i territorit në kuptimin e ndërtimeve ka filluar tashmë dhe policia ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë,” deklaroi Rama. “Është vendosur në njëfarë rruge ky kontroll, edhe falë angazhimit të drejtorit të policisë në këtë rast. Deri dje policia ishte pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.”

Kryeministri ironizoi situatat absurde ku qytetarë të thjeshtë, madje edhe të moshuar, janë ndëshkuar për ndërtime minimale, ndërkohë që ndërtues të mëdhenj kanë vepruar për vite të tëra pa pengesa.

 

 

“Sikur të mblidheshin gjithë fshatarët që policia u ka vënë gjoba personale apo shtetërore për një avlli, do bëhej mitingu më i madh pas atij për pritjen e Zhou Enlait,” u shpreh ai me sarkazëm. “Një burrë 90 e kusur vjeç përfundoi në prokurori e gjykatë si ndërtues pa leje për një riparim matanë Dajtit. Ndërkohë në mes të Tiranës, Syri i Tiranës ka 4 a 5 kate pa leje.”

Sipas Ramës, mesazhi i qartë që po përcillet sot është se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht emrit apo fuqisë në sektorin e ndërtimit.

“Sado të madh ta kesh emrin në botën e ndërtimit dhe sado të madh ta kesh pallatin me shkelje, shteti është më i madh se ty dhe nuk e gëzon dot më atë ndërtim,” theksoi ai.

Advertisement