Bota
Italia në grevë për Gazën! ‘Paralizohet’ vendi- Trazira në Milano, punëtorët përpalsen me Policinë

Mijëra protestues kanë dalë në sheshe në mbarë Italinë për grevën e përgjithshme në mbështetje të popullsisë së Gazës, të shpallur nga sindikatat bazë.
Sindikatat bazë të Italisë, të cilat përfaqësojnë qindra mijëra njerëz, nga mësuesit e shkollave deri te punëtorët e metaleve, bënë thirrje për një grevë të përgjithshme 24-orëshe si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, duke përfshirë transportin publik, trenat, shkollat dhe portet.
Mediat e huaja raportojnë se situata është përshkallëzuar në Milano, ku ka patur përplasje me policinë në Stacionin Qendror. Dhjetëra protestues të veshur me të zeza dhe të armatosur me shkopinj gome u përpoqën të shkatërronin hyrjen kryesore të stacionit qendror të trenit të qytetit, duke hedhur bomba tymi, shishe dhe gurë drejt policisë, e cila u përgjigj me sprej me piper. Forcat e rendit u detyruan të përdorin gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Në Bolonjë, policia përdori topa uji për të shpërndarë një turmë demonstruesish që bllokuan një autostradë. Tranziti i mallrave u ngadalësua ose u bllokua pjesërisht nga protestat dhe tubimet e punëtorëve në portet kryesore të Italisë, Gjenova dhe Livorno. Më shumë se 10 persona u arrestuan në Milano dhe rreth 60 oficerë policie raportohet të jenë lënduar.
Greva ka nisur në mesnatë dhe do të zgjasë deri në orën 23:00 të së hënës

