Shkrime
Një kandidat i keq nga PD për Tiranën, një rast i mirë që opozita të shkalafytet më keq nga sa është

Nga Desada Metaj
Edi Rama nuk e ka zgjedhur rastësisht Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare bashkie të Tiranës. Pas Erion Veliajt që u kristalizua në mandatin e tretë si numri dy i PS, ku bashkë me qeverisjen e Tiranës u rrit dhe oreksi politik, duket se kryeministri këtë herë ka zgjedhur një kandidate që në asnjë ditë të saj në qeverisje nuk ka menduar t’i bëjë hije shefit të madh. Ndryshe nga Veliaj që herë pas here ndizte llampën e ambicies për të tejkaluar nga numri dy në diçka më lart, Manastirliu është e qartë se në rast se do të zgjidhet do të jetë aty thjesht si mëkëmbësja e Edi Ramës në bashki. Në këtë kontekst ajo do të ketë mbështetje të plotë të kryeministrit, strukturave të PS dhe mbi të gjitha në dispozicion të saj do të jetë makineria e fuqishme elektorale e PS.
Nga ana tjetër, mes mungesës së një analize për zgjedhjet e 11 majit dhe projektimit të një kandidati për Tiranën, opozita po zvarritet për të gjetur një emër që ende nuk dihet nëse do të jetë nga PD apo nga shoqëria civile. Meqë Sali Berisha nuk ka folur ende publikisht për këtë temë, të tjerët poshtë tij as kanë marrë mundimin të jenë të qartë, veçse kur kanë shprehur dëshirat e tyre. Sot, në një dalje publike, madje kryetari i PD tha se ka caktuar Këlliçin, Nokën dhe Alimehmetin si grupin negociator me partitë opozitare. Por çfarë do të thotë kjo? Politikisht dhe elektoralisht asnjë parti brenda koalicionit të drejtuar nga PD nuk ka marrë vota që të ketë një zë në kapitullin e përzgjedhjes së kandidatit. Më absurde duken këto negociata kur sheh se Arlind Qori me gjasë do të garojë i vetëm në Tiranë, ndërsa Agron Shehaj këmbëngul në gjetjen e një kandidati jashtë politikës por që të ketë mbështetjen e partive opozitare. Një variant tërësisht i kalkuluar si biznes dhe jo si vullnet politik i një force që duhet të përmbysë një rezultat të stampuar prej shumë vitesh në Tiranë. Tirana është kryeqendra e vendit dhe gara për të është në një farë mënyre edhe gara për Shqipërinë. PD dhe opozita nuk kanë përballë Manastirliun në zgjedhjet e pritshme. Përballë tyre është Edi Rama. Ndaj naiviteti dhe llogaritë për një kandidat jo politik dhe bashkim të partive opozitare për ta mbështetur, me gjasë do të jenë thjesht justifikimi për humbjen e garës. Në të gjitha rastet kur PD ka fituar apo i është afruar fitores në Tiranë, ka qenë kur kandidatët e saj ishin figura të forta politike me mbështetjen e partisë dhe strukturave të saj. Si mund të mendosh që një parti e shkalafitur pas humbjes së 11 majit të organizohet për të mbështetur një anonim(e) që vjen për t’u përballur me Edi Ramën? Sa naiv apo i pamenduar duhet të jesh për të kuptuar se gara e Tiranës është mundësia e fundit që PD të mos shkalafitet më tepër, por të ketë mundësinë të rikuperojë peshë elektorale?
Në Tiranë opozita ka nevojë dhe domosdoshmëri të përballet me figurat kryesore politike të saj. Të atyre që kryesuan listën e mbyllur apo të atyre që u mburrën se ishin më të votuarit në kryeqytet. Spartak Ngjela, Sokol Olldashi, Lulzim Basha apo dhe Belind Këlliçi dorëzuan mandatet e deputetit për të garuar përballë Edi Ramës në Tiranë. Sepse gara për kryeqytetin nuk është ajo që vendos se kush do jetë drejtor i Ujësjellësit apo i Policisë Bashkiake. Është përballja që vendos se kush do të jetë njeriu që mund të sfidojë edhe Sali Berishën në krye të PD. Dhe meqë ky duket një mision i pamundur që askush nuk guxon as ta mendojë, opozita duket se po kërkon një kandidat(e) që ta ketë më të thjeshtë të justifikojë një tjetër betejë, në të cilën po hyn as më pak dhe as më shumë por si në 11 maj. Ku rezultati dihej dhe fajtori vazhdon të mbetet jetim.

