Connect with us

Politike

Berisha nuk e ka fare problem nëse opozita humbet për herë të shtatë përballë Edi Ramës

“Edi Rama nuk e pati burrërinë ta shkarkojë Erion Veliajn dhe përdori njerëzit që dikur ishin besnikë të kryebashkiakut”, tha ndër të tjera Dashamir Shehi, ish-deputet dhe kryetar i LZHK-së.
Në një intervistë ai komentoi zhvillimet e fundit në lidhje me kryebashkiakun e burgosur Erion Veliaj dhe mekanizmat që kryeministri përdori për shkarkimin e tij.
Në këtë lojë karakteresh të dobëta, këshilltarët e bërë pis janë thjesht kosto kolaterale. Rama, sipas Shehit, e trajton kryebashkiakun e Tiranës siç trajtoi Saimir Tahirin apo edhe Arben Ahmetajn. Ky i fundit, në arrati, rrëfen “gjysmë të vërteta si kërcënim për të mbrojtur lëkurën”. Shehi nuk e kursen as opozitën, që sipas tij u shfaq “në rol qesharak” kur mbrojti Veliajn.
Shehi foli për garën për Tiranën pas shkarkimit të Erion Veliajt dhe sfidat e opozitës. Ai tha se duhet një kandidat i ardhur nga Parlamenti, një figurë që pranon sakrificën dhe jo një emër i dalë nga pazaret e zakonshme. Por kjo, sipas tij, kërkon që grupi i Berishës të lejojë individë që jo domosdoshmërisht konsiderohen besnikë të verbër të liderit.
“Shërbëtorët e Berishës nuk i voton më askush. Tiranën nuk e fiton dot opozita me një besnik të tij”, tha Shehi.
Në optikën e tij, fituesi i madh i 11 majit është Sali Berisha, pasi ka grupin e vet parlamentar, të bindurit e tij, dhe nuk ka asnjë problem nëse opozita humbet për herë të shtatë. Deputetët rreth tij, tha Shehi, janë oportunistë që presin “sa ta largojë koha”, ndërsa gjenerata e re e politikës është thjesht “e mbushur me servilë, që vjedhin secili nga pak ku të mundën e çfarë të munden, e që nuk e dinë ç’është diktatura”.
Në këtë peizazh depresiv, ai përdor metaforën e kanarinës me pikë të kuqe për të shpjeguar çfarë ndodh brenda opozitës. Për një rebelim të mundshëm brenda PD-së, Dashamir Shehi thotë se të rinjtë me ambicie rreth Berishës kanë dy rrugë: ose të shkojnë te Rama si skuthë, ashtu siç po ndodh me disa, ose të bëjnë revoltë të vërtetë kundër liderit.
Shehi konstaton një opozitë në depresion të madh, pas shtatë humbjesh në trembëdhjetë vite, që rrezikon të shkojë drejt zhdukjes. Në këtë “kënetë” të politikës shqiptare, Shehi thotë se është Berisha ai që garanton pushtetin e Edi Ramës.

Advertisement