Thinking ...
Connect with us

Bota

The Guardian: Zbulohen sisteme sekrete të përdorura nga Izraeli në vrasjet masive të civilëve në Gaza

Një dokumentar i ri, i realizuar nga regjisorët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, ngre pretendime të forta mbi mënyrën se si janë përzgjedhur objektivat dhe janë marrë vendimet për sulmet izraelite në Gaza.

“NAZA”, i mbështetur në dëshmi nga 24 persona brenda strukturave ushtarake dhe të inteligjencës izraelite, u shfaq në Festivalin e Filmit në Venecia dhe është në garë për Luanin e Artë.

Sipas hetimit të publikuar nga “The Guardian”, bashkëprodhues i dokumentarit, “NAZA” është një akronim ushtarak që lidhet me numrin e civilëve që parashikohet se mund të vriten gjatë një sulmi ajror.

Dëshmitë e mbledhura nga autorët flasin për përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale, të cilat, sipas të intervistuarve, mund të gjeneronin një numër të madh objektivash të dyshuar si pjesëtarë të rangut të ulët të Hamasit.

Sipas rrëfimeve, në disa raste objektivat goditeshin në banesat e tyre, edhe kur ushtria kishte informacion se aty ndodheshin familjarë apo civilë të tjerë.

Në dokumentar përshkruhet gjithashtu përdorimi i të dhënave të telefonave për gjurmimin e objektivave, si dhe përgjimi i komunikimeve pak para sulmeve.

Por dëshmitë nuk ndalen vetëm te teknologjia.

Burimet e intervistuara flasin për shkatërrimin e lagjeve të tëra, djegien e banesave dhe raste të vrasjes së civilëve pranë pikave të shpërndarjes së ushqimit.

Regjisorët thonë se synimi i tyre nuk ka qenë të dokumentojnë raste të veçuara të abuzimit nga ushtarë individualë, por të hetojnë vetë mekanizmin e vendimmarrjes ushtarake.

Yuval Abraham deklaron se të intervistuarve iu kërkua të shpjegonin konkretisht detyrat e tyre dhe mënyrën se si funksiononin sistemet që përdornin. Sipas tij, reagimet e tyre ishin të ndryshme: disa shprehën keqardhje, ndërsa të tjerë folën me indiferencë ose krenari.

Disa prej burimeve, sipas dokumentarit, kishin punuar në një njësi sekrete të inteligjencës që raportonte drejtpërdrejt në zyrën e kryeministrit Benjamin Netanyahu. Një prej tyre pretendon se misioni i kësaj njësie ishte “të pengonte paqen”.

“NAZA” mbështetet në një seri hetimesh të publikuara gjatë viteve të fundit nga “+972 Magazine”, “Local Call” dhe “The Guardian”.

Dokumentari e zhvendos kështu debatin nga përgjegjësia individuale e ushtarëve te pyetjet mbi urdhrat, politikat dhe sistemet institucionale që kanë udhëhequr operacionet në Gaza.

Lufta nisi pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1 mijë e 200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Operacionet izraelite që pasuan kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima palestineze dhe shkatërrime të mëdha në Rripin e Gazës.

Në qendër të “NAZA” është pikërisht kjo pyetje: nëse vendimet që kanë sjellë një numër kaq të madh viktimash civile kanë qenë raste individuale, apo rezultat i një sistemi të tërë të planifikimit dhe vendimmarrjes ushtarake.

Advertisement