Sport
Grabitja e frikshme ku partnerja e tij shtatzënë humbi fëmijën, jepet dënimi për autorin e sulmit ndaj Donnarumma
Kjykata e Parisit ka dënuar me 9 vite burg dhe 80 mijë euro gjobë Ilyas Kherbouch, 21 vjeç, i konsideruar nga autoritetet si një prej personave kryesorë në organizimin e grabitjes së portierit Gianluigi Donnarumma dhe partneres së tij, Alessia Elefante.
Ngjarja ndodhi më 21 korrik 2023 në Paris, në zonën e Avenue Montaigne, ku çifti jetonte në atë kohë. Donnarumma ishte pjesë e Paris Saint-Germain.
Sipas akuzës, autorët hynë në apartament duke u ngjitur në çati me një shkallë dhe më pas duke hyrë përmes një dritareje. Futbollisti u godit në fytyrë dhe u kërcënua me thikë, ndërsa partnerja e tij u detyrua të tregonte vendndodhjen e kasafortës.
Sipas dëshmisë së Elefantes, dhuna ndaj saj vijoi edhe pasi ajo u tha autorëve se ishte shtatzënë. Ajo deklaroi se ishte goditur dhe se i ishte shtrënguar fyti me kabllon e karikimit të një telefoni.
Disa ditë pas grabitjes, Elefante pësoi një abort spontan. Gjatë procesit gjyqësor u diskutua mundësia që trauma e shkaktuar nga ngjarja të kishte ndikuar në humbjen e shtatzënisë, por gjykata nuk përcaktoi një lidhje të sigurt shkakësore.
Autorët morën nga apartamenti sende me vlerë rreth 500 mijë euro.
Në të njëjtin proces, Khyan M., 22 vjeç, i akuzuar se kishte organizuar operacionin nga burgu dhe kishte komunikuar me autorët përmes telefonit, u shpall i pafajshëm.
Ndërkohë, Moktar D., i akuzuar për ndihmë në përgatitjen e grabitjes, u dënua me 5 vite burg.
Vendimet janë dhënë pas procesit gjyqësor për një nga grabitjet më të bujshme ndaj një futbollisti në Paris vitet e fundit.