Thinking ...
Connect with us

Kosova

Kurti i hap derën PDK-së: Do ta votojmë menjëherë Vlora Çitakun

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë kandidaturën e Vlora Çitakut për postin e nënkryetares së Kuvendit, nëse Partia Demokratike e Kosovës rikthehet në seancë dhe e propozon atë.

Kurti tha se posti i nënkryetarit i takon PDK-së dhe se deputetët e Vetëvendosjes janë të gatshëm ta votojnë Çitakun.

“U bë mirë që u konstituua Kuvendi, nënkryetari i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Në çdo moment që janë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku, ne menjëherë do ta votojmë”, deklaroi Kurti.

Ai e vlerësoi përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke e krahasuar me procesin e një viti më parë.

Sipas Kurtit, Kuvendi u konstituua rreth tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, ndërsa vitin e kaluar u deshën rreth tetë muaj që legjislativi të konstituohej.

“Natyrisht do të ishte më mirë që të bëhej edhe më herët, por urime të gjithëve, se megjithatë është një arritje, e cila tash duhet të vazhdojë me formim të Qeverisë”, tha Kurti.

Deklarata e tij vjen pasi PDK-ja bojkotoi seancën konstituive dhe pezulloi kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit, duke pritur një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Advertisement