Kronike
Atentat i dështuar në Mat/ Gjendet i djegur “Golf”-i i autorëve, brenda tij dy kallashnikovë
Policia ka dhënë detaje të reja për atentatin e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Urakë të Matit, ku një automjet tip “Audi” u qëllua me armë zjarri.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 23:10, ndërsa “Audi”-i, në pronësi të shtetases S. Ll. (bashkëshortja e shtetasit A. Ll.) ishte i parkuar në oborrin e banesës. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjet.
Gjatë kontrolleve në zonë, rreth 2 kilometra larg vendit të ngjarjes, në aksin Rrëshen-Burrel, policia gjeti të djegur një automjet tip “Golf V”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Brenda automjetit u gjetën dy armë zjarri kallashnikov, të djegura pjesërisht. Armët janë sekuestruar si prova materiale.
Nga verifikimet rezultoi se “Golf”-i ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan që prej 31 korrikut 2025, pasi ishte denoncuar i vjedhur nga pronari i tij, shtetasi K. R, një banor i Përrenjasit.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave që qëlluan drejt automjetit.