Aktualitet
Sekuestrohen 3 automjete luksoze, pronarët nën hetim pasuror
Policia e Vlorës ka sekuestruar tre automjete luksoze, të cilat, sipas verifikimeve paraprake, nuk justifikoheshin me të ardhurat e ligjshme të poseduesve të tyre.
Në kuadër të kontrolleve ndaj automjeteve me vlerë të lartë, strukturat për Hetimin e Krimeve kanë ushtruar kontrolle dhe verifikime mbi disa mjete. Nga hetimet, tre automjete luksoze, të prodhuara gjatë viteve të fundit, rezultuan se nuk justifikoheshin me të ardhurat e deklaruara dhe të njohura të pronarëve ose drejtuesve të tyre.
Mjetet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa tre shtetasit që i posedonin janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Policia nuk ka bërë publik identitetin e personave të proceduar.
Ndërkohë, ndaj pronarëve ose poseduesve të automjeteve ka nisur edhe hetimi pasuror, me qëllim verifikimin e burimit të pasurisë dhe mënyrës së përfitimit të saj.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse automjetet janë përfituar nga të ardhura të paligjshme dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit.