Politike
Marreveshje me Londrën/ Rama jep lajmin: Do të hapim 4 universitete në Shqipëri
Shqipëria është pranë një marrëveshjeje me një rrjet universitar me bazë në Londër, e cila, sipas kryeministrit Edi Rama, parashikon ngritjen e katër universiteteve të reja në vend.
Në podcast-in “Flasim”, Rama tha se projekti përfshin një universitet të specializuar në mjekësi në Fier, një universitet të përgjithshëm në Vlorë, një institucion të fokusuar te teknologjia dhe inteligjenca artificiale në Korçë, si dhe një universitet të përgjithshëm në Tiranë.
Sipas kryeministrit, universiteti i mjekësisë në Fier synohet të ketë karakter ndërkombëtar dhe të presë studentë shqiptarë dhe të huaj. Ai tha se palët kanë nisur diskutimet dhe se është hartuar një draft-studim fizibiliteti, ndërsa pritet përfundimi i studimit.
“Me shumë gjasë, së shpejti, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare të botës, i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier”, deklaroi Rama.
Sipas tij, Shqipëria do të vërë në dispozicion infrastrukturën, ndërsa rrjeti universitar pritet të kontribuojë me staf akademik. Në projekt parashikohet gjithashtu përfshirja e pedagogëve shqiptarë, përfshirë ata që jetojnë në diasporë.
Për universitetin e Vlorës, Rama tha se synimi është krijimi i një institucioni të madh të arsimit të lartë në qendër të qytetit, pranë Sheshit të Flamurit.
Në Korçë, projekti parashikon ngritjen e një universiteti të fokusuar në teknologji dhe inteligjencë artificiale, ndërsa në Tiranë një universitet të përgjithshëm.
Rama tha se synimi është që marrëveshja të përmbyllet brenda këtij viti dhe që mësimi në dy prej universiteteve të nisë në vitin akademik 2027-2028, ndërsa dy të tjerët të fillojnë në 2028-2029.
“Janë 4 universitete, është universiteti i Fierit, universitet ekselence për mjekësinë. Është universiteti i Vlorës, i përgjithshëm, më i madhi ndër të 4… Një tjetër në Korçë për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale dhe tjetri, i Përgjithshëm në Tiranë”, tha kryeministri.
Detajet përfundimtare të projektit, përfshirë marrëveshjen me rrjetin universitar dhe studimet e fizibilitetit, pritet të përcaktojnë mënyrën e funksionimit dhe investimet e nevojshme për secilin prej institucioneve.