Aktualitet
Britania me ‘dorë të hekurt’ ndaj shqiptarëve: S’ka më varka e pasaporta false
Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë një goditje të ashpër ndaj migracionit të paligjshëm, duke vendosur sanksione të reja ndaj rrjeteve kriminale që shfrytëzojnë rrugën e Ballkanit Perëndimor për të kontrabanduar emigrantë në territorin britanik. Në fokus të masave janë bandat kriminale me bazë në Ballkan, përfshirë grupe të përfshira në shitjen e pasaportave të falsifikuara dhe një rrjet financiar në hije, që furnizon me motorë dhe pajisje për anijet e vogla, të përdorura për kalimet e paligjshme në Kanalin Anglez.
Sipas autoriteteve britanike, janë vendosur ndalime udhëtimi dhe ngrirje pasurish për të gjithë personat e përfshirë në këto veprimtari kriminale. Kjo përfshin edhe një rrjet falsifikimi të pasaportave të Kosovës, si dhe financues të fshehtë që ndihmojnë në logjistikën e trafikimit të njerëzve.
Kjo lëvizje e fortë e Britanisë së Madhe vjen në një kohë kur në Londër po zhvillohet Samiti i Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e 6 liderëve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama. Në samit po diskutohen çështje që lidhen me migracionin e paligjshëm, sigurinë në Evropë, si dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Sakaq kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi sot vendosmërinë e qeverisë së tij për të ndërprerë një rrugë të paligjshme migracioni që kalon përmes Ballkanit Perëndimor dhe përfundon në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tij, kjo rrugë kriminale është kthyer në një kanal të rëndësishëm për kontrabandën e emigrantëve, ndaj Londra po vepron në bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë për ta mbyllur njëherë e mirë.
“Ekziston një rrugë kriminale përmes Ballkanit Perëndimor që sjell emigrantë të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe ne jemi të vendosur ta mbyllim atë duke bashkëpunuar me partnerët evropianë. Përpjekjet tona të përbashkëta kanë përgjysmuar tashmë kalimet e parregullta kufitare dhe kanë ulur mbërritjet e anijeve të vogla nga Shqipëria me 95%. Përmes një Task Force të re të Përbashkët për Migracionin, dronëve britanikë dhe sanksioneve më të ashpra, ne po i ndjekim bandat e kontrabandës në çdo fazë për t’i nxjerrë ato nga biznesi dhe për të ofruar siguri për njerëzit që punojnë”, tha Keir Starmer.