Shkrime
Rama patatet e nxehta i nxjerrë me duart e të tjerëve, të vetat i ruan duke i fshehur e duke i ngritur la
Nga Artan Hoxha
Kryeministri, Edi Rama dora vetë, pa humbur kohë i kërkoi Gjykatës Kushtetuese pezullimin e vendimit të GJKKO-SPAK lidhur me pezullimin e Belinda Ballukut nga funksioni i zv/Kryeministrit dhe Ministrit dhe shqyrtimin në themel të çështjes, thënë ndryshe, i shtroi pyetjen nëse mundet një gjykatë të pezullojë, si masë sigurimi në procedure penale, një ministër, zv/kryeministër apo dhe Kryeministrin vetë.
Në konferencën për shtyp me Marta Kos, Edi Rama shprehu bindjen e tij, thënë përmbledhtazi, se ‘pushteti i drejtësisë, të cilit ai po ia respekton pavarësinë siç asnjëherë më parë në historinë e Shtetit Shqiptar, për shkak të mendësisë antidemokratike, kishte ndërhyrë brutalisht në pavarësinë e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv, por që asesi ai nuk do bënte betejë politike e mediatike me drejtësinë, do ta zbatonte vendimin dhe do të kërkonte vetëm në rrugë gjyqësore rivendosjen e drejtësisë nga Gjykata Kushtetuese’.
Kështu tha e kështu bëri dhe mirë bëri. Në këtë kuadër, ndërsa nuk bëri keq që solli në vëmendje të publikut fjalimin e Robert Xheksonit, prokuror dhe gjykatës amerikan me famë, mund të na e kursente mburrjen se qenkësh rritur dhe edukuar me fjalimet e këtij amerikani të famshëm se, po të ishte kështu, nuk do i kishte ulëritur SPAK-ut nga stadiumi, mbushur me fanatikë rilindës, ato që i ulëriti kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës, veç pak vite me parë.
Lidhur me çështjen kushtetuese të pezullimit apo jo të Ministrit (apo edhe vetë Kryeministrit) nga gjykata, si masë sigurie në një procedim penal, pikënisja e arsyetimit është përcaktimi Kushtetues se ‘Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit’ dhe, meqë sipas Kodit të Procedurës Penale masa e pezullimit nga funksioni nuk zbatohet për të zgjedhurit, për shkak të barazisë kushtetuese, nuk duhet zbatuar as për ministrin.
Arsyetimi i mësipërm mund të qëndrojë por përfundimi nuk është kaq evident sepse, nëse barazimi do ishte kaq absolut për analogji, meqë deputeti, sipas Kushtetutës, nuk mban përgjegjësi as për mendimet as për votën e vet në Kuvend, do të duhej që edhe ministri të mos mbante përgjegjësi për firmën e vënë në vendimet e veta e, afërmendsh, të gjithë e dimë që kjo nuk qëndron asfare.
Pra, ndërsa ka argumente pro e kundër, çështja e meriton debatin kushtetues dhe kjo do të ndodhë tashmë por, përpara se të jetë çështje kushtetuese kjo është çështje ligjore, pra çështje politike e publike, një çështje që, më shumë se çfarë lejon a ndalon Kushtetuta, është çështje se çfarë niveli a lloj imuniteti duhet të zgjedhim që edhe drejtësia të bëhet por edhe shteti të funksionojë dhe pushtetet të jenë të ndara e të balancuara.
P.sh. ndalimi i pezullimit të të zgjedhurit, ndërsa ka baza logjike, përndryshe do cenonte sovranitetin e zgjedhësve, ndërsa duket sikur i avantazhon të zgjedhurit në raport me zyrtarët e tjerë, në fakt ka sjellë që, për hir të sigurisë së procesit penal, disa të zgjedhur të mbahen në arrest me burg apo shtëpiak për periudha të gjata, duke passjellë de facto pezullimin nga detyra të të zgjedhurit.
Gjersa u pezullua zv/Kryeministri Balluku, e nëse kjo qëndron si masë siguri edhe nga Gjykata Kushtetuese, atëherë mund të pezullohet edhe Kryeministri, në ndërkohë që të gjithë e dimë se Shqipëria është de facto republike Kryeministrore, me Kryeministër që de facto konkurron dhe i fiton zgjedhjet në emër personal pra de facto një pezullim i Kryeministrit cenon sovranitetin e zgjedhësve, gjë që bie logjikshëm ndesh me parimin e mospezullimit të të zgjedhurit përveç se, pezullimi i Kryeministrit mund të shkaktonte pasoja deri të paimagjinueshme mbi qeverisjen, balancat dhe sigurinë e sistemit demokratik. A mos do duhej më mirë që pezullimi të trajtohej nga Kuvendi siç trajtohet rasti i arrestimit të deputetetit, ministrit apo Kryeministrit?
Shembujt e mësipërm dhe të tjerë që mund të sillen a hamendësohen, kërkojnë që çështja e imunitetit, qoftë atij material edhe atij procedural penal, duhet ritrajtuar me mençuri dhe maturi, jo vetëm për anëtarët e Këshillit të Ministrave por për të gjithë nivelet kushtetuese të zyrtarëve të shtetit. Lehtësimi i imuniteteve, ndërsa qendron si parim, që nga 2012-ta e këndej është bërë nxitimthi, nën presion propagandistik e moralizues, për rrjedhojë i pa balancuar, e duhet riparë në tërësinë e vet dhe siç duhet të ruajmë drejtësinë nga kapja nga pushtetet e tjera duhet të ruajmë edhe pushtetet e tjera nga shkeljet rastësore apo të qëllimshme deri sistematike të drejtësisë në territorin ekskluziv të pushteteve të tjera të shtetit.
Në ndërkohë, Kryeministri, i cili e shprehu qartë e fort bindjen se gjykata nuk duhej e nuk mundet të pezullojë as ministrin, as zv/Kryeministrin, as atë vetë, në vend që ti drejtohej Gjykatës Kushtetuese duhej ti drejtohej Kuvendit e të ndërmerrte nismën ligjore të duhur, aq më shumë që ai i ka votat e mjaftueshme për të miratuar ndryshime edhe në Kodin e Procedure Penale.
Mbasi dështoi në nismën për shkarkimin e Veliajt, ai po i kërkon Gjykatës Kushtetuese ta zgjidhë ajo situatën paradoksale të Veliajt-de jure në detyrë de facto i pezulluar-siç zgjidhjen për Ballukun po ia kërkon kësaj gjykate kur për të dy rastet, dhe jo vetëm, zgjidhjen e ka vetë në dorë përmes ndryshimeve ligjore. Duket ka vendosur që patatet e nxehta ti nxjerrë me duart e të tjerëve, të vetat i ruan herë duke i fshehur e herë duke i ngritur lart si tek ajo historia ‘…qe lala durt’.