Connect with us

Shkrime

Berisha i ka bërë mbështetësit e tij si ai qeni i Biblës, që kthehet të hajë të vjellat e veta

Mustafa Nano

Në mënyrën më të pabesueshme, të gjithë i janë dorëzuar dhe e ndjekin në betejat e tij kundër “tradhëtarëve të brendshëm” që s’kanë të sosur. I fundit është Salianji që – vini re! – inatin e ka me Flamur Nokën, jo me Berishën.

Në vitin 2013, shqiptarët votuan dhe panë tek Edi shpresën e tyre të vetme. Një milion vetë votuan për të.

Në fakt, ishte një votë plebishitare kundër Berishës, gjë që e bëri këtë të fundit të jepte dorëheqjen, me premtimin se nuk do të kthehej më në krye të partisë dhe se nuk do të synonte më përgjegjësi e poste publike. Teksa bënte këtë premtim solemn, fshinte djersët me një shami të bardhë, që çuditërisht iu gjend në xhep, a thua se e dinte se do t’i lipsej. Të gjithë ishin të sigurt se po jetonin fundin e karrierës së Sali Berishës, ndonëse ai ua bëri të qartë me një frazë që nuk mori vëmendjen e duhur: “Nuk do të largohem kurrë as nga politika, as nga PD-ja; edhe sikur një demokrat të mbetet në PD, ai demokrat do të jem unë.” Si po shkojnë gjërat, nuk është çudi t’i dalë fjala.

Me të bërë deklaratën e “dorëheqjes”, Berisha organizoi zgjedhjet në parti, dhe i rregulloi punët që të zgjidhej në krye Lulzim Basha, të cilin ndërkohë e kishte përgatitur për atë ditë. I duhej se s’bën një njeri besnik, që ta merrte në mbrojtje nëse kundërshtarët do kujtoheshin për të hapur çështje penale ndaj tij e anëtarëve të familjes. Ishte një frikë që lidhej me vetëdijën prej keqbërësi, jo me ndonjë sinjal konkret. Largimi prej syve të publikut mund të shoqërohej me perceptimin se ishte më në fund i vetmuar dhe i cënueshëm, dhe kështu mund të inkurajoheshin lloj-lloj njerëzish për revansh ndaj tij, prandaj nuk vonoi ta përcillte mesazhin: “Hej, mua këtu më keni.” Mori një zyrë të tijën private, prej ku tërhiqte fijet në prapaskenë. Pasditet i kalonte në vilën gjigande të së bijës në Lalëz, buzë detit, por “orarin zyrtar” e kalonte në një nga katet e larta të ndërtesës përballë RTSH-së, ku priste e përcillte demokratë që donin të nisnin karrierën politike, të tjerë që donin ta mbronin karrierën e tyre, më tej akoma njerëz që i ankoheshin për Bashën, të tjerë që i kërkonin të rikthehej në krye të Partisë, militantë, biznesmenë, “patriotë” kosovarë, informatorë, spiunë. Zyra e tij ishte si vend pelegrinazhi.

Nuk u pikas asnjë sëkëlldi brenda kampit demokrat prej dualizmit që ishte i qartë: Berisha shtirej sikur kishte ikur, e Basha shtirej sikur ishte kryetar i PD-së. As gazetarë e intelektualë publikë afër PD-së (apo kundër PS-së) nuk treguan se ishin të sëkëlldisur. Përkundrazi, jetonin me idenë se largimi i Berishës, apo ndonjë ndëshkim eventual i këtij të fundit prej drejtësisë, do të ishte një poshtërsi në shërbim të Ramës. Të vetmit të sëkëlldisur ishin amerikanët që, në përpjekje për të bërë reformën në drejtësi, apo për të ndërmjetësuar negociata mes palëve politike në vend, kuptuan se harxhonin frymën kot me Bashën. Në fund, vulën gjërave ua vinte Berisha, të cilin, megjithatë, ata nuk donin ta takonin, së pari ngaqë ia kishin hequr fillin tanimë, e së dyti ngaqë do donin gjithsesi të ruanin një dekor të sjelljes legale (legalisht kryetar ishte Basha). Por u tërbuan kur u bindën se Berisha po u sabotonte reformën në drejtësi, duke përdorur Partinë Demokratike.

Erdhën zgjedhje pas zgjedhjesh, të cilat PD-ja i humbi. Ndërkohë, Berisha jo vetëm i dilte për zot humbësit Basha, por edhe vetes për gjithçka kishte ndodhur në të shkuarën, duke u mburrur me gjëra që i llogariteshin si krime, aq sa në një moment s’e pati për gjë të thoshte: “Sikur Edi Rama të bënte në protestë të dytë pas 21 janarit 2011, do vendosja pesë snaipera mbi tarracën e kryeministrisë. Nëse ata nuk do t’i bindeshin urdhërit për të shtënë mbi Ramën, atëherë do shndërrohesha vetë në snaiper. Do merrja nishan e do shtija vetë mbi kreun e opozitës.” E pabesueshme. Pritej që ndonjë demokrat të ngrinte zërin e të thoshte: “Hej, nuk mund të vazhdohet kështu! Duhet ta provojmë ndryshe këtë punë.” Por jo, as që bëhej fjalë. Përkundrazi, bënë lajthimin logjik më banal: çfarë në të vërtetë ishte problem, e konsideruan si zgjidhje. Morën një të mbrapshtë për hero e shenjt. Është një gabim që shqiptarët e bëjnë rëndom e symbyllur.

Sidoqoftë, Berishës i shkonte në mendje se demokratët mund të lodheshin prej besnikërisë së pashpërblyer me dhurata pushteti. Në të njëjtën kohë ndjeu që laku po i ngushtohej. Ai e dinte shumë përpara të tjerëve se amerikanët diçka po kurdisnin. Fillimisht ndërprenë kontaktet me të. Pastaj e ndaluan (tok me familjen) të udhëtonte në SHBA. Dhe kështu, filloi të merrte disa kundërmasa. Rriti mbikqyrjen mbi Bashën, tek i cili pa që konvenienca po fitonte mbi mirënjohjen. E për të forcuar pozitat brenda PD-së, hapi televizionin e vet Syri, të cilin e financon dhe e drejton i biri. Në ç’mënyrë? Askush nuk e thotë këtë gjë. Është ndërmarrja më pak transparente në botën e biznesit shqiptar. Mund ta bëjë transparencën qeveria, por stepet, pasi nuk do të shtojë në listën e zullumeve të veta edhe “dhunën” ndaj medias opozitare. Edhe SPAK-u ka të njëjtët skrupuj, me sa duket përballë denoncimit të Berishës, se po burgosen krerët e opozitës, gjë që në fakt është e vërtetë: Berisha, Meta, Mediu janë ose në burg, ose nën hetim.

Kjo është arsyeja që atij i duhej t’ia merrte partinë Lulzim Bashës, kur ky i fundit u mbajti ison amerikanëve që e shpallën non grata. Qyqari Basha e bëri jo sepse mendonte që Berisha e kishte hak atë goditje, por sepse atë goditje e bënë amerikanët. Nuk çmoi veprën, por autorin. Me fjalë të varfëra, iu mbajt devizës: amerikanët kanë të drejtë edhe kur e kanë gabim. Kjo ishte arsyeja që përjashtimin e Berishës nga PD-ja, e motivoi me logjikën: “Berisha është një legjendë e PD-së, ai ka kontribute të jashtëzakonshme në historinë e vendit, ai do të mbetet përherë në zemrat tona, por neve na duhet ta përjashtojmë, pasi nuk mund të vëmë në diskutim orientimin tonë euroatlantik.”

Por Berisha nuk u largua. Ai bëri tjetrën: filloi fushatën kundër Bashës, e mbi të gjitha kundër George Sorosit që, mes punëve të shumta të mbrapshta në dëm të njerëzimit (siç besojnë konspiracionistët), kishte gjetur kohë për një kokëçarje shtesë: të mos e lejonte më Berishën të bënte punë të mira në favor të kombit të vet, sidomos Kosovës. Doli që nuk ishte ashtu. Trumpi po mbush një vit në Shtëpinë e Bardhë, dhe nuk duket se ka ndonjë shans që non grata t’i hiqet, edhe pse miliona dollarë janë shkapërderdhur për këtë qëllim. U supozua se demokratëve, pasi damka “non grata” i mbeti edhe nën Trumpin, do t’u dilte narkoza. Por jo dhe jo dhe jo. Nuk doli qoftë edhe një njeri i vetëm që t’i thoshte: “Ik, në ke Perëndi! T’i kemi bërë hallall të gjitha, veç ik! Kthehu në shejtninë e jetës tënde private dhe na lejo të shohim se ç’mund të bëjmë për të hapur një kapitull të ri.” Në mënyrën më të pabesueshme, të gjithë i janë dorëzuar dhe e ndjekin në betejat e tij kundër “tradhëtarëve të brendshëm” që s’kanë të sosur. I fundit është Salianji që – vini re! – inatin e ka me Flamur Nokën, jo me Berishën. I ka bërë mbështetësit e vet si ai qeni i Biblës, që kthehet të hajë të vjellat e veta.

Advertisement