Aktualitet
Akuzohen se përfituan 7 mln euro me ‘Call Centera’, GJKKO liron Erjon Kasmin dhe Xhuljan Xhafën
Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia dy administrator të call centerave Erjon Kasmi dhe Xhuljan Xhafa më tepër se një vit pas arrestimit të tyre.
Treshja gjykuese e përbërë nga Elsa Ulliri, Erjon Bani dhe Flora Hajredinaj konstatuan se kishte humbur fuqia e paraburgimit për dy shtetasit që akuzohen se nëpërmjet mashtrimit ndaj një numri të konsiderueshëm të qytetarëve nga vende të Bashkimit Europian, kanë përfituar rreth 7 milion euro të ardhura.
Hetimet për këtë grup kriminal nisen në Gjermani ku u dokumentua se kryesisht përmes thirrjeve telefonike ftonin qytetarët e huaj të investonin në bursa ndërkombëtare. Paratë depozitoheshin sipas udhëzimeve të agjentëve të “call center” në platformat mashtruese.
Depozitat gjendeshin në banka të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni e Qipro dhe ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave ose konvertimit në kriptovalutë.
Shkalla e Parë e GJKKO-së e kishte dënuar Erjon Kasmin me 7 vite e 4 muaj heqje lirie dhe me 6 vite e 4 muaj burg Xhuljan Xhafën, ndërsa operatorët që punonin në kompanitë e tyre u shpallën të pafajshëm. Ky vendim u prish në Apelin e Posaçëm që vendosi rigjykimin me trupë tjetër.
Në prill të këtij viti Prokuroria e Posaçme kërkoi konfiskimin e pasurive të këtyre dy shtetasve në vlerë rreth 2 milion euro.