Aktualitet
Masat për protestën/ Gjykata lë në arrest shtëpie 4 persona, 16 të tjerë detyrim paraqitjeje
Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar pas protestës, në kuadër të dy çështjeve të shqyrtuara këtë të martë.
Në çështjen e parë, gjykata vendosi arrest shtëpie për 4 persona, ndërsa për një tjetër caktoi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit.
Për 5 persona të tjerë u vendos detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ndërsa për një person u caktuan ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe detyrimi për të qëndruar në një vend të caktuar.
Në çështjen e dytë, gjykata caktoi masën e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore për 10 persona nën hetim, të dyshuar për vepra penale që përfshijnë shkatërrimin e pronës, goditjet për shkak të detyrës, pjesëmarrjen në manifestime të paligjshme dhe pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të personave për të cilët nuk ka një shkak tjetër ligjor për mbajtjen e tyre, ndërsa vendimet mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.