Connect with us

Bota

“Unë jam ende president i Venzuelës”/ Maduro flet në Gjykatë, cili do jetë hapi i radhës i SHBA

Dy ditë pas “prerjes së kokës” së regjimit çavist me deportimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij në Shtetet e Bashkuara, ende nuk është e qartë se si SHBA-të do ta ushtrojnë atë lloj “qeverisjeje me mandat” mbi Venezuelën, të shpallur nga Trumpi.

Në konferencën për shtyp të së shtunës, presidenti ia besoi këtë detyrë ministrave të tij dhe mbi të gjitha sekretarit të Shtetit.
Marco Rubio, djali i emigrantëve kubanë, gjuha amtare e të cilit është spanjishtja dhe me një karrierë politike të ndërtuar mbi kundërshtimin ndaj regjimeve marksiste të Amerikës Latine, është padyshim protagonisti kryesor i “operacionit Venezuelë”, aq sa disa gazeta tashmë e quajnë mëkëmbës. Në fund të fundit, ishte pikërisht ai që negocioi, duke folur spanjisht, me Delcy Rodríguez-in, zëvendësen e Maduros që ka marrë presidencën.

“Pilotim nga distanca”

Por Rubio e di gjithashtu se ekspozimi i tepruar mund të kthehet në një kurth vdekjeprurës, sidomos nëse ndryshimi i regjimit në Venezuelë shndërrohet në një moçal për Amerikën: Trumpit nuk do t’i duhej shumë kohë t’ia ngarkonte atij përgjegjësinë për dështimin. Prandaj, kreu i diplomacisë përpiqet të korrigjojë kursin, duke theksuar synimin për të “pilotuar nga distanca” përmes qeverisësve venezuelianë. Cilëve? Kjo mbetet e paqartë.

E vetmja gjë e qartë është vullneti për të mos përsëritur gabimet e bëra nga George Bush në vitin 2003 me pushtimin e Irakut. “Do të bëjmë saktësisht të kundërtën”, deklaron ministri i Luftës, Pete Hegseth, ndërsa një bashkëpunëtor anonim i sekretarit të Shtetit shpjegon se “nuk po përpiqemi të ‘debaathizojmë’ Venezuelën”. Përkthimi: 23 vjet më parë, Bushi u iluzionua se mjaftonte eliminimi i Saddam Husseinit për t’u pritur nga i gjithë Iraku si shpëtimtar. Por shkatërrimi i partisë Baath prodhoi një shpërthim copëzimesh që ushqyen një luftë civile rraskapitëse.

Kërcënimi për një bastisje të dytë

Marco Rubio për momentin flet kryesisht për metodologji: anëtarët e regjimit të Maduros që pranojnë të bashkëpunojnë do të marrin udhëzime dhe do të gjykohen mbi bazën e zbatimit të tyre. Gjithmonë nën kërcënimin e një bastisjeje të dytë, më të thellë amerikane, në rast të mungesës së bashkëpunimit.

Fronti arktik

Dhe Trumpi, edhe në këtë pikë, nuk tërhiqet: “Nëse nuk ndjekin direktivat tona, do të kenë të njëjtin fat si Maduro, ndoshta edhe më të keq.” Pastaj, sikur të mos mjaftonte përgjegjësia e jashtëzakonshme që ka marrë përsipër në Venezuelë, presidenti amerikan rihap edhe frontin e Groenlandës: në një intervistë për The Atlantic deklaron se ai territor, që i përket një vendi aleat në NATO, Danimarkës, “na duhet patjetër: është një ishull i rrethuar nga anije ruse dhe kineze”.

Kuba në shënjestër

Rubio, i kujdesshëm për ndërhyrje të drejtpërdrejta në Venezuelë, e ndjek Trumpin në shpërndarjen e kërcënimeve nëpër botë. Të tërthorta ndaj Kolumbisë, më të hapura kundër Kubës: “Po të isha në vendin e drejtuesve të tyre, nuk do të flija rehat. Ai vend është një katastrofë, do të duhet të merremi me të.”

Por, duke u kthyer te Karakasi, me kë dëshiron të qeverisë Rubio? Trumpi kishte folur për zëvendësen e Maduros, Delcy Rodríguez-in, të emëruar presidente e përkohshme nga Gjykata Supreme venezueliane. E gatshme të bashkëpunojë me amerikanët, sipas The Donald. Por pak më vonë Rodríguez e përgënjeshtroi, duke riafirmuar besnikërinë e saj ndaj Maduros. Dje, Rubio dha përshtypjen se po ndryshonte kurs: “Nuk është presidente legjitime: nuk e themi vetëm ne, ky është gjykimi i 60 vendeve”.

Bllokimi i bandave

Por ndoshta, duke parë edhe kërcënimet e ashpra të Trumpit, bëhet fjalë kryesisht për një mënyrë për të ushtruar presion mbi Rodríguez-in dhe figura të tjera me ndikim të regjimit çavist: “Nuk më intereson çfarë kanë bërë në të kaluarën apo çfarë thonë sot publikisht. Do t’i gjykojmë për atë që do të bëjnë”.

Dhe lista e detyrave të përcaktuara nga Rubio është e gjatë: t’i japin fund trafikut të drogës, të bllokojnë bandat kriminale, të riaktivizojnë nxjerrjen e naftës duke u mbështetur te korporatat e mëdha amerikane, të dëbojnë rebelët marksistë kolumbianë të FARC-ut dhe ELN-së, të ndërpresin marrëdhëniet me Iranin dhe Hezbollahun.

Karakasi kundër Parisit

Nuk do të jetë e lehtë të bindësh hierarkët e vjetër të Maduros: dje, për shembull, ministri i Jashtëm dëboi dy nga tre diplomatët francezë që kishin mbetur në Karakas, duke i konsideruar si ndërhyrje të papranueshme deklaratat e presidentit Macron, udhëheqës i opozitës ndaj diktatorit të rrëzuar. Një tjetër “arrë e fortë” është ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, i akuzuar në vitin 2017 se kishte tentuar të organizonte vrasjen e Rubios, atëherë senator i Floridës. Por për momentin as ai dhe as vëllai i tij, një tjetër figurë e lartë e regjimit, nuk janë kapur: duket se po kërkohet edhe bashkëpunimi i tyre.

Advertisement