Politike
Policia publikon videon: 11 efektivë policie të plagosur nga molotovët
Policia e Shtetit ka dhënë detaje zyrtare lidhur me incidentet e regjistruara gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike.
Si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë lënduar 11 punonjës policie, të cilët ndodheshin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së protestës. Efektivët e dëmtuar kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies, ku janë vizituar edhe nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, si dhe Zëvendësdrejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.
Policia bën me dije se, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndalimin e akteve të dhunës, përmes qendrës së zërit, situata ka vijuar e tensionuar, duke detyruar ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të ushtruara ndaj punonjësve të Policisë.
Në vijim të veprimeve hetimore, përmes analizimit të pamjeve filmike, deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona. Gjatë verifikimeve, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur, për të cilin janë njoftuar menjëherë prindërit. Policia sqaron se i mituri nuk është shoqëruar në ambientet e ndalimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve deri në marrjen në dorëzim nga prindërit