Politike
Ndryshimet në qeveri/ Bushati: Janë fasadë, pushteti riciklohet për të shpëtuar veten
Pesë muaj pas zgjedhjeve që mazhoranca i cilësoi si fitore plebishitare, ndryshimet e thella në kabinetin qeveritar kanë hapur më shumë pikëpyetje sesa kanë dhënë përgjigje.
Analisti Andi Bushati, argumentoi se thelbi i lëvizjeve nuk është reforma apo rifreskimi i ekipit, por menaxhimi politik i largimit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas tij, ndonëse formalisht jashtë qeverisë, hija e saj duket ende e pranishme në përbërjen e re të kabinetit.
Andi Bushati: Në kuptimin formal po e them, nuk ka një kuptim që pesë muaj pas zgjedhjeve, sidomos pas disa zgjedhjeve ku Partia Socialiste pretendon se ka marrë 83 mandate, pra një fitore sipas tyre plebishitare, të ndërrosh qeverinë për pesë muaj, sepse ata njerëz që kanë marrë detyrën në pesë muaj ende nuk janë provuar. Në këtë kuptim duket që ndryshimet kanë një falsitet. Dhe këtu ngrihet pyetja, çfarë fsheh ky falsitet? Pas këtij falsiteti në fakt fshihet ideja që këtu duheshin bërë ndryshime sepse duhej hequr nga qeveria zëvendëskryeministrja Balluku. Pra, thelbi nuk është një reformatim i kabinetit.
Thelbi është gjetja e një zgjidhjeje për Ballukun. Dhe prandaj unë në fakt e kam quajtur këtë kabinet, jo kabineti Rama 4, po kabineti Balluku 2. Sepse, nëse kishim një kabinet të dalë pas zgjedhjeve ku Belinda Balluku mori shumë pushtet, ky është një kabinet ku megjithëse ish-zëvendëskryeministrja nuk është më prezente, ajo ka dorën e saj të fortë në këtë kabinet. Ajo hoqi ministren e jashtme, me të cilat kishte rivalitetet dhe mëritë e saj, Elisa Spiropali, dhe ajo ka vendosur ministra dy njerëz pothuajse anonim, ministrin e Energjetikës dhe ministrin e Mbrojtjes. Prandaj një pikë për të cilën akoma ne nuk mund të kemi një shpjegim, është pikërisht kjo: Pse një zëvendëskryeministre e larguar ka kaq shumë peshë dhe në qeverinë ku ajo nuk është më.