Aktualitet
Tritoli në lokalin e Noizyt pas përplasjes me Cllevion, babai i reperit të OTR dëshmon në seancë
Këngëtari Rigels Rajku, i njohur si Noizy, dhe babai i tij, Bashkim Rajku, janë thirrur për të dëshmuar në seancën e radhës gjyqësore ndaj Laert Haxhiut, e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme.
Laert Haxhiu nuk është paraqitur në seancë, ndërsa është përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës, Detar Hysi.
Gjatë dëshmisë, Bashkim Rajku është pyetur nga prokurori Behar Dibra për shpërthimin me eksploziv në lokalin e familjes në Durrës, në qershor të vitit 2022. Ai tregoi se në momentin e ngjarjes kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe më pas kishin konstatuar se xhamat e biznesit ishin thyer.
I pyetur për motivet e mundshme, Rajku tha se nuk kishte prova konkrete, por përmendi konfliktet e mëparshme të të birit me persona të tjerë.
“Djali im është artist, mund të ketë pasur ndonjë fërkim apo hatërmbetje. Ju e dini historinë, ka pasur fërkime me atë të Lushnjës. Nuk kam fakte ta them konkretisht”, deklaroi ai.
Më tej, dëshmitari tregoi se një ditë para shpërthimit, pesë ose gjashtë automjete kishin mbërritur pranë lokalit dhe kishin provokuar djalin e tij, duke shkaktuar një konflikt.
Bashkim Rajku përmendi gjithashtu një person me emrin Kleviol, për të cilin tha se familja nuk kishte pasur më parë njohje. Sipas dëshmisë së tij, dëmi ekonomik nga shpërthimi arrinte në rreth 30 mijë euro.