Connect with us

Sport

Trajneri i Trabzonsporit flet për Ernest Muçin: Ai mund të luajë në Premier League

Trajneri i Trabzonspor-it, Fatih Tekke, ka vetëm fjalë pozitive për mesfushorin shqiptar Ernest Muçi, duke shkuar deri aty sa të theksojë se ish-lojtari i Tiranës ka potencialin për të luajtur në nivelet më të larta të futbollit evropian, përfshirë edhe Premier League.

Tekniku turk zbuloi se ka pasur një bisedë me lojtarin për të marrë vendime në lidhje me të ardhmen dhe rolin e tij në skuadër, duke theksuar profesionalizmin që Muçi ka treguar në stërvitje.

“Patëm një bisedë për marrjen e një vendimi në lidhje me Ernest Muçin. Deri më tani, ai ka qenë shumë profesional në stërvitje dhe përpiqet të dëgjojë dhe të bëjë më të mirën e tij”, u shpreh Tekke.

Ai shtoi se për shkak të nevojave taktike, Muçi jo gjithmonë është aktivizuar në pozicionin e tij natyral në fushë.

“Ndonjëherë, nga nevoja, nuk mund ta luajmë në pozicionin që duam. Kishte edhe raste kur e përdorëm si numër ‘6”, tha trajneri i Trabzonspor-it.

Sipas Tekke, potenciali i mesfushorit shqiptar është ende larg kufirit të tij maksimal.

“Muçi ka potencialin të bëhet edhe më i mirë. Të gjitha të dhënat e tij janë në një nivel elitar. Po flas për të qenë i përshtatshëm për liga elitare si Premier League”, thotë ai.

Megjithatë, tekniku turk theksoi se për të bërë hapin e madh, lojtari duhet të ketë ndikim edhe më të madh në rezultatet e skuadrës.

“Ai duhet të ketë një ndikim më të madh në rezultatin e ndeshjes. Ai duhet të bëhet më i fuqishëm. Ai ka karakterin për të luajtur në çdo ekip”, përfundoi Tekke.

Advertisement