Connect with us

Politike

Vendimi për Ballukun, Zogaj: Vota në Kuvend një provë e së vërtetës

Qëndrimi i Partisë Socialiste në Kuvend lidhur me çështjen “Balluku” dhe raporti i ri që po krijohet mes qeverisë dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ishin në qendër të diskutimeve në emisionin “Trialog” në RTSH.

Analisti i njohur politik, Preç Zogaj, ka zbërthyer strategjinë e mazhorancës, duke theksuar se votimi i socialistëve në Parlament nuk përbën më asnjë enigmë dhe se kryeministri i ka marrë tashmë parasysh kostot e këtij vendimi në sytë e ndërkombëtarëve.

Vota si “provë e së vërtetës” për mazhorancën

Sipas Zogajt, vendimi për të mos i hapur rrugë kërkesës së drejtësisë është një lëvizje e paralajmëruar. Deri më tani, mazhoranca ka mbajtur një qëndrim pro-drejtësisë kur bëhej fjalë për çështje që nuk preknin thelbin e qeverisjes së saj, por ky rast shënon një pikë kthese.

“Vota e paralajmëruar është ‘jo’. PS ka propozuar një përballje me SPAK. Ata tani po vihen në provë për t’u shprehur me votë. Kjo është prova e së vërtetës për shumicën,”, theksoi analisti gjatë fjalës së tij.

Fatura ndërkombëtare dhe ndryshimi i roleve

Një theks i veçantë në analizën e Zogajt iu kushtua reagimit të partnerëve perëndimorë, të cilët kanë qenë sponsorët kryesorë të reformës në drejtësi. Ai vuri në dukje se Rama dhe lidershipi socialist kanë bërë një llogari të ftohtë politike për kostot që do të sjellë ky vendim.

Zogaj nënvizoi se ndërkombëtarët që asistojnë në konsolidimin e drejtësisë së re “nuk e kanë pritur mirë këtë qëndrim”.

“Kur qeveria qëndron përballë pushtetit të drejtësisë, tani qartazi qëndron si palë,” sqaroi ai.

Pavarësisht përplasjes politike dhe refuzimit për heqjen e imunitetit, Zogaj rrëzoi pretendimet e ekzagjeruara se kjo lëvizje e Parlamentit bllokon drejtësinë. Ai u shpreh i bindur se puna e prokurorëve të posaçëm do të vijojë e pandikuar nga vota e deputetëve.

“Është e vërtetë që hetimi nuk ndalon. Ka një retorikë të ekzagjeruar sikur shumica e ndaloi SPAK-un me vendimin për të mos hequr imunitetin e Ballukut. Kjo nuk është e vërtetë. SPAK thjesht e ka kuptuar se ekzekutivin e ka përballë si palë dhe jo si mbështetje,” përfundoi analisti.

Advertisement