Politike
Vangjeli flet për proces të helmuar: Kafazi i xhamit për Metën i turpshëm, cenim i prezumimit të pafajësisë
Lorenc Vangjeli deklaroi se procesi ndaj Ilir Metës është “i helmuar” që në fillim, duke e cilësuar si një rast të trajtimit arbitrar dhe jashtë standardeve ligjore.
Ai denoncoi përdorimin e kafazit të xhamit në sallën e gjyqit si shkelje të dinjitetit dhe si mënyrë për ta paraqitur Metën si fajtor, ndërsa ngriti edhe pretendimin për një “menu speciale” në burgje për ata që paguajnë, në kontrast me mungesën e trajtimit njerëzor ndaj tij. Vangjeli theksoi se, nga arrestimi deri te paraburgimi i zgjatur, i gjithë procesi cenon drejtpërdrejt parimin e prezumimit të pafajësisë.
Pjesë nga deklarata:
Ekziston një menu speciale, e pashkruar, që çdo gjë e konverton me para. Që nga mbajtja e telefonave apo sendeve të tjera të ndaluara në qeli, ushqimet, trajtimi i veçantë, deri te vizitat speciale, ku kush paguan, i ka. Ndërkohë që ndaj Ilir Metës, natyrisht nuk bëj fjalë për gjëra të tilla, ka munguar trajtimi njerëzor. Dhe procesi i sotëm, i pritur vërtet me shumë kuriozitet nga publiku, verifikoi edhe një herë trajtimin arbitrar që i është bërë Ilir Metës. Në fakt, kur e shikon kështu, duket sikur mësohesh me të keqen. Dhe duket se po përdoret i njëjti standard që është përdorur edhe më parë.
I kemi parë edhe herë të tjera të përdoret kafazi i xhamit, por së paku gjykatësja e çështjes do të ishte mirë të kishte lexuar një sërë vendimesh të Gjykatës së Strasburgut, të cilat janë të detyrueshme edhe për Shqipërinë, që përfshijnë emra qytetarësh të ndryshëm kundër vendeve të tyre. Janë kryesisht kundër Rusisë. Është një rast, nga të parët, Zvinarenko dhe Slyadeyev kundër Rusisë. Bëhet fjalë pikërisht për këtë gjë: mbajtjen e të pandehurit brenda kafazit të xhamit.
Gjykata e Strasburgut ka dhënë një vendim, i cili është replikuar edhe herë të tjera, që nuk lë vend për asnjë shteg, për asnjë koment apo insinuatë të dyfishtë. Shkel dinjitetin e të pandehurit, e paraqet atë, qoftë edhe vizualisht, fajtor, i jep një përmasë rrezikshmërie të cilën nuk e ka. Dhe po vendimet e Gjykatës së Strasburgut citojnë se vendosja e kafazit nuk është diçka automatike që ndodh rast pas rasti, por duhet vlerësuar rast pas rasti duke gjykuar rrezikshmërinë e të pandehurit.
Më së paku kjo është gjëja që mund të thuhet. Ilir Meta nuk plotëson absolutisht asnjë nga kushtet që të qëndrojë brenda atij kafazi të turpshëm, që në një mënyrë ose në një tjetër, edhe të tjerët që janë në liri, secili qytetar, sot e ka ndjerë veten brenda atij kafazi të xhamit. Sepse drejtësia nuk i jep lirinë e sanksionuar me Kushtetutë dhe me të drejtat universale të njeriut çdo qytetari të Shqipërisë. Kështu që beteja e parë e Metës mbi këtë gjë nuk është betejë vetjake, është betejë për gjithsecilin nga ne.
Unë kam përshtypjen që ky rast i profilit të lartë mbase do të bëjë një kthesë në këtë histori. Nëse nuk ndodh kështu, atëherë brenga për fatin tonë të keq që na pret, ndoshta do ta kërkonte zgjidhjen me një deus ex machina që unë nuk do ta dija nga do të vinte. Kjo ishte e para, dhe e dyta ka të bëjë me diçka tjetër. Deri tani është folur për procesin e zotit Meta dhe jo për fajësinë apo pafajësinë e tij nga një dosje voluminoze që ai ka në ngarkim.
Procesi është i helmuar. Ka nisur i helmuar me arrestimin kriminal që iu bë atij në mes të rrugës. Ka vazhduar me mbajtjen tmerrësisht të gjatë në paraburgim, jashtë kritereve ligjore, logjike, qytetare dhe morale, përkundër klimës që po tentohet të krijohet, duke i dhënë Metës edhe një herë ngarkesën e të paracaktuarit fajtor, duke i cenuar pa shkuar në sallën e gjyqit të drejtën e tij kushtetuese të prezumimit të pafajësisë.
Është e trishtueshme të shihet kjo dramë, e cila është qoftë politike, qoftë morale, qoftë njerëzore, qoftë penale, dhe është një moment reflektimi për të gjithë. Natyrisht, nuk është kjo drejtësia të cilën ne meritojmë, të cilën na detyrohen të na e japin të gjithëve.