Connect with us

Bota

“Nëna ime ishte e fiksuar pas teje”, Donald Trump pret Charles III në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan Donald Trump mirëpriti Mbretin Charles III dhe Mbretëreshën Camilla në Shtëpinë e Bardhë, në ditën e dytë të vizitës zyrtare të monarkut britanik në Shtetet e Bashkuar

Gjatë ceremonisë pritëse, Trump e cilësoi si një “nder të madh” mikpritjen e çiftit mbretëror, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Pavarësisht motit me shi në Washington, D.C., presidenti amerikan nuk i kurseu batutat, duke thënë me humor: “Çfarë dite britanike është sot”, në një referencë ndaj kushteve atmosferike tipike për Britaninë.

Në ceremoni morën pjesë figura të rëndësishme të administratës amerikane, përfshirë zëvendëspresidentin J.D. Vance, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, si dhe drejtues të tjerë të lartë. Nga pala britanike ishte e pranishme Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper. Në mesin e të ftuarve spikatën edhe emra të njohur të biznesit si Tim Cook dhe Jensen Huang.
Gjatë fjalës së tij, Trump kujtoi vizitat e tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke përmendur mikpritjen në Kështjellën Windsor dhe duke e cilësuar atë si një përvojë të paharrueshme për të dhe bashkëshorten e tij, Melania Trump. Ai theksoi gjithashtu lidhjet historike mes SHBA-ve dhe Britanisë, duke nënvizuar ndikimin kulturor dhe vlerat e përbashkëta.
Presidenti amerikan solli edhe momente personale në fjalimin e tij, duke përmendur nënën e tij dhe admirimin që ajo kishte për familjen mbretërore britanike, veçanërisht për Mbretin Charles.

Vizita e Mbretit Charles III në SHBA konsiderohet një moment i rëndësishëm diplomatik, ndërsa marrëdhëniet transatlantike mbeten një element kyç në politikën ndërkombëtare.

Advertisement