Connect with us

Shkrime

Deputetëve tanë fjalët u mbeten në fyt, pa ide me fjali që bëjnë zhurmë si makinë e amortizuar

Nga Ardi Stefa

Kuvendi i Shqipërisë ka një nivel intelektual shumë të ulët të atyre që paguhen për të menduar, vendosur në emër të një kombi.

Me pak përjashtime, deputetët sot ndahen në dy kategori.
Në ata që vuajnë (edhe pse mund të duket e rëndë si fjalë) nga kapsllëku intelektual e gjuhësor dhe në ata që vuajnë nga diareja e mendimit pa mendim.

Kategoria e parë janë deputetët “kaps”.
Njerëz që ngjiten në foltore si nxënës të papërgatitur para tabelës.
Fjalët u mbeten në fyt, idetë nuk u formohen dot, fjalia u thyhet në mes si urë e amortizuar dhe shpëtimin e parë e gjejnë në Inteligjencën Artificiale.
Ua shkruan fjalimin, ua “lustron” gramatikën, u jep edhe ndonjë citim politologu që s’e kanë lexuar kurrë.
Por problemi është se AI mund të të shkruajë tekstin, jo trurin.
Mund të të japë fjali, por jo mendim.
Dhe kjo duket menjëherë sapo deputeti hap gojën pa “copy-paste”-in para syve.
Është ai momenti kur teknologjia dorëzohet përballë idiotësisë njerëzore.

Pastaj vjen kategoria tjetër: deputetët me diare verbale.
Ata flasin pa pushim, pa ide, pa filtër, pa logjikë.
Një lumë fjalësh që rrjedh pa asnjë pikë kuptimi.
Një lumë sharjesh ndaj njëri- tjetrit që fyen jo vetëm inteligjencën tonë, por edhe na demoralizon.
I dëgjon fjalët e tyre në seancat e Kuvendit dhe të krijohet përshtypja se po sheh dikë që përzien në lavatriçe ato 100 fjalë që di: “rilindje”, “demokraci”, “tradhtar”, “fitore”, “opozitë ambulante”, “historike”, “armik”, “popull”, “vizion”, “luftë”, “mision”, “narkos”, “narko-diktaturë”, “të shitur”, “integrim e pengim”, “lubi”, “buf e kënetë”.
Kjo kategori nuk mendon.
Përsërit, riciklon dhe janë altoparlantë biologjikë të fjalëve të kryetarëve.
Çdo fjali e tyre është jehonë e fjalëve të kryetarit që lëshon mijëra fjalë pa pushim.
Edhe kur përpiqen të improvizojnë, dalin zbuluar sepse mendimi i huaj vishet keq mbi paditurinë personale.

Si përfundim, njëra palë nuk flet sepse s’ka ç’të thotë.
Tjetra nuk pushon së foluri pikërisht për të fshehur faktin që nuk ka asgjë për të thënë.
Dhe këta janë njerëzit që hartojnë ligje, vendosin taksa, flasin për ekonominë, arsimin, diplomacinë, integrimin europian e fatin e miliona shqiptarëve.

Por në Shqipëri deputeti nuk zgjidhet për mendim.
Zgjidhet për bindje.
Sa më pak personalitet të ketë, aq më i sigurt bëhet për kryetarin që investon te ta.
Sepse mendimi i lirë apo ndryshe në partitë shqiptare është defekt, jo vlerë.

Prandaj sot Parlamenti nuk ngjan me akademi debatesh, por me repart gastroenterologjie politike: gjysma vuajnë nga kapsllëku i mendimit, gjysma nga diareja e fjalëve dhe sharjet pa limit.

Përfundimisht i meritojmë deputetët “kaps” dhe ata me diare intelektuale?
Apo jemi dorëzuar dhe jemi mësuar me këto sëmundje?

Advertisement