Connect with us

Sport

Juventusi vlerëson ‘goditjen’ Alaba, mbrojtësi i Real Madridit ofrohet me parametër zero

Juventusi po shqyrton një lëvizje të papritur në merkato, pasi në tryezë ka përfunduar emri i David Alaba-s, i cili është ofruar si transferim me parametër zero nga Real Madridi.

Sipas raportimeve nga mediet italiane, mbrojtësi austriak është propozuar gjatë një takimi mes drejtuesve të Juventusit dhe agjentit të njohur, Pini Zahavi, ku është diskutuar edhe për emra të tjerë si Robert Lewandowski.

Profili i Alaba-s ka tërhequr menjëherë vëmendjen e drejtuesve bardhezi, të cilët në merkato po kërkojnë lojtarë me eksperiencë, sipas vizionit të trajnerit Luciano Spalletti.

34-vjeçari, i cili ka kaluar 12 sezone te Bayerni përpara se të transferohej te Reali në vitin 2021, ka pasur periudha të vështira në Madrid, kryesisht për shkak të dëmtimeve të shumta që kanë kufizuar paraqitjet e tij.

Kontrata e tij me Real Madridin përfundon në verë dhe lojtari pritet të jetë i lirë në treg, çka e bën një opsion tërheqës financiarisht për Juventusin.

Megjithatë, drejtuesit e klubit italian mbeten të kujdesshëm. Dyshimet kryesore lidhen me gjendjen fizike të lojtarit, e cila konsiderohet faktor vendimtar përpara një transferimi të mundshëm.

Nga ana tjetër, aspekti financiar duket më i menaxhueshëm, pasi Alaba aktualisht përfiton rreth 10 milionë euro në vit, por pritet të pranojë ulje page për shkak të moshës dhe situatës së tij sportive.

Interesi për austriakun nuk kufizohet vetëm në Itali, pasi ai është në radar edhe të Manchester United, si dhe është ofruar në tregjet e MLS-së dhe Arabisë Saudite.

Tani mbetet për t’u parë nëse Juventusi do të vendosë të konkretizojë këtë mundësi surprizë në merkato apo do të zgjedhë alternativa të tjera për repartin e mbrojtjes.

Advertisement