Connect with us

Aktualitet

Qeveria ndryshon rregullat për plazhet, kontratat për sezonin 2026 do të lidhen në qershor

Bizneset dhe hotelet që marrin me qira hapësira në plazhe do t’i lidhin kontratat me shtetin për sezonin turistik të këtij viti, brenda muajit qershor. Ndryshimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave me vendim të firmosur nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të shtesave në rregulloren për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacioneve të plazhit.

Sipas vendimit, përjashtimisht për vitin 2026, kontratat e qirasë për përdorimin e hapësirave të plazhit do të lidhen brenda muajit qershor. Qeveria ka vendosur gjithashtu rregulla të reja edhe për kontratat ekzistuese.

Në rast se ndryshojnë kapacitetet e strukturave akomoduese, zonat e plazhit apo zhvillimet përgjatë vijës bregdetare, kontratat do të mund të ndryshohen vetëm me dakordësinë e të dyja palëve. VKM-ja thotë se çdo ndryshim do të duhet të formalizohet përmes ndryshimeve të dakordësuara dhe nënshkruara nga palët.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ministria përgjegjëse për turizmin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

VENDIM

PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.649, DATË 16.10.2024,   KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT””,  TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 64, të  ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

1. Në rregulloren bashkëlidhur vendimit nr.649, datë 16.10.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit””,  të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

a) Pas  pikës 5, të nenit 14, shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Përjashtimisht, për vitin 2026, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, të parashikuar në pikën 5, të nenit 4, të kësaj rregulloreje, do të jetë brenda muajit qershor.”.

b) Në nenin 5 të shtojcës  I,  “Kontrata model për përdorimin e hapësirës së plazhit”, që i bashkëlidhet rregullores, shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:

“3. Dhënësi, në bashkëpunim me njësinë e vetëqeverisjes vendore, mund të propozojë amendime në këtë kontratë, në rastet e  ndryshimeve në kapacitetin e strukturës akomoduese, zonës së plazhit apo zhvillimeve në zonën bregujore, vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.

4. Për kontratat ekzistuese të lidhura për përdorimin e hapësirës së plazhit, ndryshimet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, kryhen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, nëpërmjet nënshkrimit të amendimit të kontratës.”.

2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Advertisement