Connect with us

Politike

Braçe i kërkon llogari Ramës: S’mjafton të thuash jemi në luftë hibride, duhet të na sqarosh

“Luftë hibride”, kështu i ka cilësuar kryeministri Edi Rama protestat kundër ndërtimit në Zvërnec. Kreu i qeverisë ka deklaruar se çështjet mjedisore po shfrytëzohen për shkak të ndjeshmërisë që ato kanë në opinionin publik, me qëllim nxitjen e qëndrimeve kundër zhvillimit dhe investimeve.

Pikërisht për këtë qëndrim të kryeministrit, të përsëritur në disa dalje publike, intervista televizive ku më e fundit ka qenë një ditë më parë për CNN, ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.

Përmes një videomesazhi, Braçe i ka kërkuar qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse më shumë transparencë lidhur me projektin në Zvërnec, duke theksuar se vetëm informimi i plotë i publikut mund të përballet me dezinformimin dhe atë që kryeministri e quan “luftë hibride”.

Sipas tij, qytetarët duhet të kenë akses të plotë në të gjithë dokumentacionin që lidhet me projektin, që nga aplikimet fillestare, lejet zhvillimore dhe projektet arkitekturore, deri te vendimmarrjet institucionale, kriteret mjedisore, kompanitë e përfshira dhe investitorët.

“E kemi për detyrë transparencën nuk jemi ën pronat tona, edhe pse për pronat kemi detyrë të deklarojmë, jemi në tokën e Shqipërisë”, thekson ai.

“Thënë këtë, në mes të gjithë dezinformimit që po sulmon hapësirën informative, nuk arrij ta kuptoj që ne nuk bëjmë gjënë më elementare, transparencën totale për këtë proces. Aplikimi i parë, i dytë, leja zhvillimore, projekti arkitektonik i parë, vendimi për rrëzim, projekti i dytë, kërkesa për leje ndërtimi, rrëzimi i dytë, detyrat e lëna, të përmbushura, të papërmbushura, kriteret mjedisore, kompanitë arkitekturore, kompanitë për anën mjedisore, investitorët, nënkontraktorët, pronarët e tokës, ata të origjinës dhe ata të bërë më pas, zinxhirin e transaksioneve deri te pronari fundor, në fund edhe paratë, të kujt janë, nga vijnë, sa do të investohen; të vendosura në një faqe të aksesueshme nga të gjithë, pa nevojën e shpjegimit të kërkujt që mund të nxisë apo të zhvendosë vëmendjen e qytetarëve nga faqja, informacioni i plotë dhe pa asnjë rezervë, te personi që shpjegon. Shiko të thuash që jemi në mes të një lufte hibride, dhe e tillë është, se dezinformacioni po gëlon, dhe mos të bësh transparencë është nonsens. Vetëm transparenca përballet me dezinformimin dhe e kemi detyrë”, dëgjohet të thotë Braçe ndër të tjera.

Advertisement