Connect with us

Sport

Botërori 2026/ Spanja fiton 0-1 kundër Uruguait dhe i eliminon nga turneu

Botërori 2026 mbylli tre ndeshjet në Grupin H, aty ku u mësuan edhe verdiktet për vijimin ose jo të garës. Mëngjesin e kësaj të shtune me orën shqiptare, Spanja fitoi 0-1 kundër Uruguait, ndërsa Kepi i Gjelbër barazoi 0-0 kundër Arabisë Saudite. Kombinimet e këtyre sfidave kanë bërë që Spanja të kalojë më tej si kokë grupi, por ende nuk e ka mësuar rivalin në fazën e 1/16-ave.

Surpriza e madhe ishte kalimi më tej i Kepit të Gjelbër. Debutuesit në Kupën e Botës kanë siguruar tre barazime në grup dhe në fazën e radhës do të ndeshen as më shumë e as më pak, por me kampionët në fuqi të botës, Argjentinën e Lionel Messit. Uruguai me vetëm dy pikë dhe Arabia Saudite po me dy pikë dalin jashtë turneut.

Në Zapopan të Guadalajaras, Spanja kontrolloi lojën dhe mposhti 0-1 Uruguain. Një goditje pa shumë pretendime e Alex Baenas në minutën e 42-të dhe gafa e Fernando Muslerës në portë bëri që Spanja të marrë tri pikë duke eliminuar Uruguain. Muslera u zëvendësua nga Bielsa me fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Uruguai e mbylli ndeshjen me dhjetë vetë pas daljes me karton të kuq të Canobbios në minutën e pestë shtesë

Në Houston, debutuesit e Kepit të Gjelbër shkruan historinë. Vendi me afro 500 mijë banorë kalon në fazën e 1/16-ave falë barazimit 0-0 kundër Arabisë Saudite dhe do të ndeshet më 4 korrik kundër kampionëve në fuqi të botës, Argjentinës.

Përmbledhje:

Kombëtaret e kualifikuara deri tani në raundin e 1/16-ave: Meksika, Afrika e Jugut, Zvicra, Kanadaja, Bosnje Hercegovina, Brazili, Maroku, SHBA-ja, Australia, Paraguai, Gjermania, Bregu i Fildishtë, Ekuadori, Holanda, Japonia, Suedia, Egjipti, Spanja, Kepi i Gjelbër, Franca, Norvegjia, Argjentina, Kolumbia, Portugalia, Anglia, Gana.

Kombëtaret e eliminuara deri tani: Haiti, Turqia, Tunizia, Jordania, Panamaja, Katari, Çekia, Kuraçao, Uruguai, Arabia Saudite, Irak.

Ndeshjet e fazës së 1/16-ave deri tani: Afrika e Jugut – Kanada, Brazil – Japoni, Holandë – Marok, SHBA – Bosnjë Hercegovinë, Bregu i Fildishtë – Norvegji, Argjentinë – Kepi i Gjelbër, Francë – Suedi, Gjermani – Paraguai.

Advertisement