Politike
SPIROPALI NE AKSION, DOREZON MOCIONIN NE PS
Ish-ministrja, Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e partisë, një nismë që ajo e kishte paralajmëruar më herët dhe që ishte përmendur edhe nga kryeministri Edi Rama në një prej daljeve të tij publike.
Dorëzimi i mocionit vjen pas deklaratave të përsëritura publike të Spiropalit për nevojën e një procesi hapjeje dhe diskutimi brenda Partisë Socialiste. Sipas saj, ky proces synon të nxisë një përfshirje më të gjerë të anëtarësisë dhe të adresojë shqetësimet e evidentuara gjatë periudhës së fundit.
Në një deklaratë për mediat, Spiropali tha se dokumenti nuk është vetëm i saj, por është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ajo theksoi se një marrëveshje e re nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe të shoqërisë.
“E mbajta premtimin dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Përgjithshme të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nuk është vetëm dokumenti im, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ia kam drejtuar Ramës, Asamblesë së Përgjithshme dhe çdo anëtari. Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe shoqërisë”, u shpreh Spiropali.
Ajo kërkoi më shumë demokraci, përfaqësim dhe drejtësi shoqërore, si dhe një marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarit. Spiropali tha se të rinjtë janë në pararojë të kërkesave për ndryshim dhe se mazhoranca dhe Partia Socialiste kanë mundësinë për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave.
“Duhet më shumë demokraci, përfaqësim, drejtësi shoqërore, marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarit. Të rinjtë që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim janë ata që presin më shumë nga ne. Kam besimin që mazhoranca dhe PS-ja ka të gjitha mundësitë që t’u përgjigjet këtyre kërkesave”, tha ajo.