Connect with us

Politike

“O Gono, e shite apo s’e shite atë të shkretën vilë?”/ Shehaj i përgjigjet Ballës: Ke filmuar gruan dhe fëmijët e mi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku i drejtohet me tone ironike kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke i kërkuar sqarime lidhur me një vilë në Itali.

Në videomesazh, Balla ngre pikëpyetje mbi statusin e pronës, duke aluduar për mospërputhje në deklarimet e bëra nga Shehaj.

“O Gono, ku je mo burrë? E shite apo s’e shite atë të shkretën vilë? A është 250, 498, 359? E ke shitur vjet në shtator apo është akoma e jotja? Se mos e nxjerr Kadastra e Italisë që është ende e jotja, se na merr në qafë pastaj. Shihi këto letrat dhe sqaroje pak këtë punë. Dakord, Gono?”, shprehet Balla në video.

Menjëherë më pas, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj i është përgjigjur Ballës, duke thënë se ky i fundit publikoi të dhëna të vendndodhjes së shtëpisë në Itali ku jetojnë fëmijët e tij së bashku me bashkëshorten.

Në një video të filmuar përpara Kryeministrisë, Shehaj thotë se të dhënat për shtëpinë e familjarëve të tij janë publikuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

“Sot Edi Rama ka dërguar Taulant Ballën tek shtëpia ime, ka filmuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët e mi, bashkëshortja ime, kur kalojnë verën, me adresë, duke ia bërë me gisht: këtu janë!”, shprehet Shehaj.

Kjo sipas kreut të Mundësia bëhet për shkak se qeveria kërkon të mbyllë gojën e deputetëve të Mundësia dhe të ndalen nga denoncimet e skandaleve korruptive të Ramës.

“Pse e bën Edi Rama këtë?  Sepse është i dëshpëruar, por një gjë ta kesh të qartë: Ne nuk ndalemi! Nuk na trembni dot, as me filmime dhe as me Taulant-a, as me krimin as me oligarkët, as me mediat tuaja të cilat i financoni me paratë e qytetarëve shqiptarë”, e mbyll reagimin e tij Shehaj.

Advertisement